Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në kohën kur po shënon 18 vjetorin e themelimit, ka mbetur pa sekretarin ekzekutiv të saj, i cili ka dhënë dorëheqje nga njëri prej posteve më të rëndësishme të organizimit të partisë.
Valon Tolaj, i cili ka mbajtur këtë post në kohërat kur partia ka kaluar fazë më të rënda, në opozitë, është larguar nga aty pak muaj pasi AAK ka marrë drejtimin e Qevrisë së Kosovës.
Nuk dihen se cilat kanë qenë arsyet që kanë shtyrë Tolajn të heq dorë nga kjo pozitë e rëndësishme në parti, edhe pse ai është munduar t’i relativizojë ato, duke mos dhënë detaje.
Tolaj ka thënë se arsyet janë private dhe familjare.
“E ndjej obligim t’ju informoj mbi kërkesën që sot i kam bërë Kryetarit të AAK, z. Ramush Haradinaj, për lirim nga detyra e Sekretarit Ekzekutiv të AAK. Arsyeja e kërkesës është krejtësisht personale e familjare, dhe nuk ndërlidhet me asnjë rrethanë apo proces në AAK. Unë, do të vazhdoj të jem pjesë e Aleancës dhe mbeshtetës i vizionit politik të Kryeministrit Ramush Haradinaj”.
“Për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm, falënderoj të gjithë miqtë e kolegët të cilët janë shumë, në të gjitha strukturat organizative të AAK. Kam qenë i nderuar me punën e përbashkët dhe bashkepunimin me të gjithë, pa përjashtim”, ka thënë Tolaj në arsyetimin e tij të shkurtër të dorëheqjes. /gazetametro.net