
Qytetet më kryesore të Ukrainës janë zgjuar nën zhurmat e bombardimeve dhe sistemeve kundërajrore, ku raportohen shpërthime masive në disa zona të shtetit, i cili po përballet tashmë prej 21 ditësh me agresionin rus të Vladimir Putinit.
Qyteti jugor portual i Odessa-s – pikë kyçe strategjike për daljen në Detin e Zi, ka ndjerë shpërthime të forta në mëngjes. Deri tani raportohet vetëm për dy të plagosur, por dyshohet se mund të ketë viktima.
Në Zaporizhzhia nga ana tjetër, ku ndodhet edhe centrali bërthamor më i madh jo vetëm në Ukrainë por në gjithë Evropën, ka pasur raportime të shpërthimeve shumë të mëdha.
Në këto zonë, shumë pranë termocentralit, dy ditë më parë, forcat ruse kanë shpërthyer disa municione luftarake të mbetura pas mësymjes dhe marrjes nën kontroll të centralit.
Kievi po ashtu ka qenë i goditur në zona rezidenciale.
Një godinë 12-katëshe është sulmuar me raketa dhe 35 persona u evakuuan, teksa ata mësohet se kanë marrë thjesht lëndime.
Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit dhe më pas, flakët u vunë nën kontroll rreth orës 07:45.
Nga ana tjetër, mbi 3 milionë ukrainas i kanë ikur konfliktit, duke kërkuar strehim në vendet fqinje.
Barrën kryesore e ka marrë Polonia, me rreth 1.8 milionë syresh. Vende si Rumania, Moldavia, Hungaria apo Sllovakia, kanë marrë po ashtu një numër të konsiderueshëm emigrantësh.
Mbi 100 mijë ndërkaq, kanë shkuar edhe në Rusi për t’i shpëtuar agresionit.