Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se autoritetet shqiptare e kanë liruar ish-luftëtarin e UÇK-së, Murtez Kastrati, i cili u ndalua nga policia, pas një kërkese që Serbia kishte dërguar në INTERPOL.
Haradinaj-Stublla tha se ka komunikuar me homologun e saj shqiptar, Gent Cakaj, dhe njofton se veterani i UÇK-së ishte liruar para dy orësh dhe se ishte ndaluar thjesht për verifikim.
Sipas ministres Haradinaj-Stublla, Serbia po vazhdon me veprime ilegale ndaj Kosovës, ndërsa ka shtuar se Shqipëria do të përditësojë listat e dërguara nga Serbia, me qëllim, që sipas saj, ato të reflektojë “realitetin politik e ligjor të Kosovës”.
“Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ministrja Haradinaj-Stublla në një postim në rrjetin social Facebook.