
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka rritur tarifat doganore për Kinën deri në 125 përqind, teksa ka vendosur t’i pezullojë tarifat e vendosura për shtete tjera për 90 ditë, shkruan Fox News, përcjell Reporteri.net.
Vendimi i Trump erdhi vetëm disa orë pasi Kina njoftoi rritjen e tarifës së saj reciproke mbi mallrat amerikane nga 34% në 84%, si përgjigje ndaj një rritjeje të mëparshme të tarifave nga SHBA, e cila hyri në fuqi pas mesnatës së së mërkurës, duke e çuar totalin e tarifave amerikane mbi mallrat kineze në 104%.
Trump ka thënë se tarifat reciproke për vendet e tjera do të pauzohen për 90 ditë, gjatë të cilave do të aplikohet një tarifë më e ulët, prej 10%.
Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, shkroi në platformën X se “bota – përveç Kinës – është e gatshme të punojë me Trump për rregullimin e tregtisë globale.”
“Scott Bessent dhe unë ishim pranë Presidentit kur ai shkroi një nga postimet më të jashtëzakonshme të presidencës së tij,” shtoi Lutnick.
Ndryshe, Trunp njoftoi para një jave se SHBA-ja do të vendosë një tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ai njoftoi gjithashtu për tarifa më të larta për dhjetëra vende që kanë suficit tregtar me Shtetet e Bashkuara, duke rritur rrezikun për një luftë tregtare dhe rritje të inflacionit.
Ndaj mallrave të importuara nga Kosova është vendosur tarifë prej 10 për qind, ndaj atyre nga Shqipëria 10 për qind, Serbia 37 për qind, Bosnja e Hercegovina 35 për qind, dhe Maqedonia e Veriut 33 për qind.