Presidenti amerikan ishte ai që zgjati dorën i pari dhe homologu koreano-verior ia shtrëngoi duke buzëqeshur me ngrohtësi. Në Singapor ishte ora 09:03, në Europë 03:03 e natës. Pasi iu drejtuan fotografeve e telekamerave, dy liderët u ulën në një sallon të hotelit luksoz Capella.
I pari foli Trump, “Është një nder i madh të gjendem sot këtu”, deklaroi presidenti amerikan; besoj se kjo nismë ka për të qenë një sukses, do të ndërtojmë mes nesh një marrëdhënie të shkëlqyer.
I pyetur nëse do ta ftojë udhëheqësin koreano-verior në Shtëpinë e Bardhë, ai u përgjigj: Do ta bëj patjetër.
Për Kim Jong un, nuk ishte e lehte të mbërrihej deri këtu; “Ka pasur shumë probleme”, u shpreh ai, “U deshën vite të tëra megjithatë arritëm t’i kapërcenim pengesat e ja ku jemi sot këtu!”
Deklaratat në publik zgjatën vetëm një minutë; Paskësaj dy udhëheqësit mbyllën dyert për një takim kokë me kokë ku të pranishëm ishin edhe përkthyesit.
Këshilltarët e të dyja palëve pritën jashtë, duke shfrytëzuar ndoshta edhe atë moment për të komunikuar e për të kërkuar një përcaktim të përbashkët të fjalës kyçe të momentit: denuklearizim.
Trump dhe Kim firmosën një dokument, i cili pritet t’i përcillet medias gjatë ditës. Kina nxitoi ta përshëndeste samitin e rrallë, duke deklaruar se: “Fakti i thjeshtë që dy liderët arritën të ulen së bashku e të angazhohen në mënyrë të barabartë në bisedime është i rëndësishëm, pozitiv e çel një faqe te re ne histori”.
Sa për çarmatimin nuklear të Koresë së Veriut, çështja kyçe mbi të cilën janë hasur vështirësitë më të mëdha, sipas Trump do të nisë shumë shpejt.