
Hazard thotë se e ka në kokë Topin e Artë, por nuk është shumë i dhënë pas këtij trofeu individual.
Eden Hazard është prezantuar para mijëra tifozëve në “Santiago Bernabeu” si lojtar i Real Madrid, raporton Gazeta Express.
Të pranishëm në Bernabeu ishin 50 mijë tifozë, për t’i uruar mirëseardhje galaktikut të ri të Los Blancos.
28-vjeçari foli edhe për Topin e Artë, duke e pranuar se do të dëshironte që një ditë ta fitojë atë.
“Topi i Artë? Ajo çfarë mund të them është se tashmë është në Madrid me Luka Modricin. Nuk e di nëse këtu do të jetë më e lehtë (për ta fituar), varet se si luajmë, edhe pse është e vërtetë se të gjithë kanë ardhur përmes Madridit”, tha ai.
“Momentalisht jam i koncentruar në aspektin kolektiv. Topi i Artë është në kokën time, por fitimi i trofeve me Real Madridin është më e rëndësishme. Nëse vjen ajo ditë shumë mirë, pse jo?”, deklaroi Hazard.