Gazeta e madhe amerikane, “The Washington Post” ka raportuar për zhvillimet e fundit që kanë ardhur nga Qendra e Numërimit dhe Rinumërimit të votave në Kosovë ku po raportohet për rreth 26 persona të helmuar derisa të njëjtit ishin duke verifikuar zarfet me votat e ardhura nga Serbia për zgjedhjet e 6 tetorit.
“Washington Post”, duke transmetuar raportimin e agjencisë së lajmeve AP, shkruan se autoritetet në Kosovë thonë se disa zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor janë dërguar në spital me probleme shëndetësore pasi kanë hapur pesë pako votimi nga Serbia, transmeton Koha.net.
Më tej citohet edhe agjencia e lajmeve “Kosovapress” e cila thotë të ketë raportuar se 26 zyrtarë patën reaksione alergjike dhe probleme me lëkurën pasi kanë hapur kutitë e votimit.
Mjekët e qendrës emergjente thanë se të gjithë kishin kruajtje dhe lëkurë të skuqur.
Një zëdhënës policie ka konfirmuar incidentin ka refuzuar të japë detaje, duke thënë se janë duke hetuar. Zëdhënësi i KQZ-së ka refuzuar të komentojë.
Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme një javë më parë të cilat u fituan nga partia e krahut të majtë. Më shumë se 300 vendvotime janë duke u rinumëruar.