Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të “Javës së shkencës”, e cila po organizohet për herë të dhjetë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Presidenti Thaçi ka thënë se ndjehet mirë që si ngjarje e përvitshme, “Java e shkencës” ka filluar të organizohet në kohën kur Kosova u bë shtet i pavarur dhe sovran.
“Puna kërkimore dhe shkencore vlerësohet si mjeti më i fuqishëm i avancimit të dijës dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror. Prandaj, potenciali juaj njerëzor, shkencor dhe kulturor si studiues, përbën një mbështetje të fuqishme për të gjitha proceset nëpër të cilat kalon shteti ynë. Unë i përcjelli me vëmendje, aq sa mundem dhe kam kohë, shumicën e aktiviteteve shkencore. Hulumtimet shkencore dhe aktiviteti juaj si kudo në botë ka për qëllim jo vetëm avancimin e të arriturave në lëmi të caktuara, por edhe zhvillimin ekonomik dhe social. Prandaj, të nderuar njerëz të shkencës, shoqëria nga ju pret që ta determinoni jo vetëm të sotmen, por të përcaktoni qartë se ku duhet të jemi pas 2-3 dekadave, në të ardhmen”, është shprehur presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se nuk mjafton të nxjerrim vetëm studentë të diplomuar dhe nuk mjafton të ecim me trende rajonale, por duhet të lëvizim më shpejt, më mirë dhe në mënyrë më cilësore se të tjerët.
“Unë jam i bindur se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes rritjes ekonomike, me rritjen e sasisë dhe cilësisë në arsim. Vetëm me këtë vizion mund ta fuqizojmë energjinë e rinisë sonë të talentuar”, ka thënë ai.
Presidenti i vendit ka shtuar se nëse analizohen vendet më të zhvilluara në botë, shohim se çdo kund, çelësi i suksesit të tyre ka qenë cilësia e burimeve njerëzore.
“Ajo çfarë i dallon vendet e zhvilluara nga vendet në zhvillim, sikurse në rastin tonë, është fakti se vendet e zhvilluara kanë sisteme arsimore shumë të mira dhe kuadro konkurrues në tregun global të punës. Pra, në këtë kontekst, asnjë vend nuk mund të pretendojë të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, pa investuar në mënyrë serioze në kapitalin njerëzor”, ka deklaruar Thaçi.
Gjatë këtyre 19 vjetëve të lirisë dhe 10 vjetëve të pavarësisë, sipas presidentit Thaçi, prioriteti ynë ka qenë kompensimi i dekadave të diskriminimit të vazhdueshëm dhe represionit nga e kaluara.
“Kemi pasur nevoja bazike të ndërtimit të një infrastrukture arsimore moderne në gjithë vendin dhe pa modesti e them se infrastruktura arsimore në Kosovë është më e mira në rajon. Ne, tashmë i kemi përmbushur këto nevoja dhe është koha që të përqendrohemi më shumë te cilësia, te investimet në kapitalin social, në burimet njerëzore”, është shprehur ai.
I pari i vendit ka theksuar se po jetojmë në një botë që ndryshon përditë, por në këtë botë digjitale të teknologjisë informative, sipas tij, edhe profesorët e studentët mund të bëjnë që qytetari ynë, për një periudhë të shkurtër kohore, të ketë lakmi të jetojë në vendin e vet dhe të ndjehet krenar.
“Nuk janë vetëm politikanët ata që duhet t’u japin përgjigje të gjitha çështjeve. Përkundrazi, jeni edhe ju. Ne e kemi obligim si shtet, si institucione, që t’ju ndihmojmë gjithmonë. Por, ju jeni ata që duhet të ndihmoni politikën dhe institucionet”, ka theksuar Thaçi.
Në “Javën e shkencës”, kreu i shtetit ka thënë se presim nga njerëzit e shkencës që të shfaqin ide dhe pikëpamje lidhur me të arriturat shkencore apo synimet për të ardhmen, duke zbuluar edhe energji të reja shkencore që premtojnë reforma në qasjet e dijës dhe shkencës në raport me kërkesat e realitetit të ri evropian.
Duke marrë parasysh jo vetëm arritjet, por edhe sfidat, presidenti Thaçi ka thënë se është e nevojshme të bëhet një listë e prioriteteve në të gjitha fushat me potencial hulumtues, si në burimet natyrore, në energji dhe mjedis, në prodhim bujqësor dhe sigurim të ushqimit, në kërkimet shkencore në mjekësi, studimet në ekonomi, në shkencat humanitare, në teknologji informative dhe në fusha të tjera.