
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke përkujtuar Konferencën e Rambujesë në 20 vjetorin e mbajtjes së saj, ka thënë se kjo ishte fitorja e parë diplomatike e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se kjo marrëcveshje finalizoi procesin e çlirimit të Kosovës, raporton lajmi.net.
Sipas Thaçit, edhe sot si 20 vjet më parë , të gjithë duhet të bashkohen për jetësimin e ëndrrës së Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO e OKB.
Ky është postimi i plotë i Thaçit në Facebook:
Finalizimi i Konferencës së Rambujesë në Paris, 20 vjet më parë, ishte fitorja e parë diplomatike e Kosovës, e cila i hapi rrugë intervenimit ushtarak të NATO-s për të parandaluar spastrimin etnik në Kosovë. Kjo marrëveshje finalizoi procesin e çlirimit të Kosovës, i nisur nga sakrifica dhe lufta jonë. Ajo u shndërrua në testament për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Bashkimi i spektrit politik në atë kohë dhe besimi i palëkundur te Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bëri të mundur arritjen e kësaj marrëveshjeje pas negociatave të vështira dhe rraskapitëse. Sot, si 20 vjet më parë, duhet të bashkohemi të gjithë për të jetësuar ëndrrën e radhës – anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB. /