970×90
970×90
970×90
970×90

Thaçi për “V.Novosti”: S’ka dhe s’do të ketë përleshje me serbët – ne luftuam kundër okupatorit serb, jo kundër serbëve

Thaçi për “V.Novosti”: S’ka dhe s’do të ketë përleshje me serbët – ne luftuam kundër okupatorit serb, jo kundër serbëve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për të përditshmen serbe “Veçernji list”, ka folur hapur për themelimin e Asociacionit të komunave serbe, për mundësinë e përleshjeve mes shqiptarëve e serbëve, për mundësinë e rënies së qeverisë së Kosovës për shkak të bojkotimit të ministrave serbë e tema tjera.

Thaçi është shprehur madje i bindur se Kosova, me çdo kusht, do të formojë ushtrinë e saj. Po ashtu, presidenti i Kosovës ka premtuar se kroatët së shpejti do të kenë përfaqësim në parlamentin e Kosovës, transmeton Koha.net.

Sipas tij, nuk është e vërtetë që Kosova po refuzon të themelojë AKS-në dhe se u qëndron prapa të gjitha obligimeve ndërkombëtare, siç është edhe AKS-ja, por ka shtuar se nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive e as nuk mund të jetë bazë për krijimin e një entiteti politik serb në Kosovë.

Thaçi tha se Asociacioni do të themelohet në batë të ligjeve të Kosovës dhe se, sipas tij, këtë e ka thënë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Megjithatë, Presidenti thotë se me themelimin e AKS-së nuk pritet të ketë përleshje mes shqiptarëve dhe serbëve dhe se të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallime, duhet të respektojnë rendin kushtetues dhe ligjet e Kosovës.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë përleshje në Kosovë mes shqiptarëve dhe serbëve. Nuk ka pasur konflikte të tilla as në vitet më të rënda të luftërave. Ne kemi luftuar me fuqinë pushtuese të Serbisë, e jo me serbët”, theksoi ai, transmeton Koha.net.

Në lidhje me bojkotimin e ministrave serbë dhe me mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje si pasojë, Thaçi tha: “Bojkotimi i Qeverisë së Kosovës nga ana e Listës Serbe është e dëmshme për të gjithë, edhe për vetë politikanët e qytetarët serbë. Të gjitha problemet e mundshme në këtë aspekt duhet të zgjidhen brenda institucioneve të Kosovës. Në të vërtetë, edhe në mandatet e kaluara qeveritare, Lista Serbe ka dalë para kohe nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës dhe ajo politikë s’ka sjellë asgjë të mirë për qytetarët serb të Kosovës”.

I pyetur se përse Policia e Kosovës e arrestoi drejtorin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, Thaçi tha se: “Policia e Kosovës ka ndaluar liderin serb sepse ka hyrë ilegalisht në veri të Kosovës. Ai ka hyrë edhe pse nga organet e Kosovës nuk ka marrë lejen e duhur. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i parë që ai ka qëndruar ilegalisht në Kosovë. Dëshirojmë të avancojmë së bashku, si dy shtete, përmes normalizimit të marrëdhënieve, duhet t’i respektojmë deri në fund marrëveshjet e Brukselit, duke përfshirë procedurat për organizimin e vizitave zyrtare në Kosovë e Serbi”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, beson se do të merret vesh me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se do të arrihet deri tek një marrëveshje përfundimtare e problemit të Kosovës.

“Jam i bindur se koha e konflikteve, mosmarrëveshjeve e tensioneve në raportet mes Kosovës e Serbisë duhet të përfundojë. Nga ana tjetër, çështja e Kosovës është zgjidhur njëherë e përgjithmonë përmes misionit të udhëhequr nga presidenti Ahtisaari në periudhën nga viti 2005 deri më 2007. Kosova është shtet i pavarur. Serbët në Kosovë janë komunitet jo-shumicë, kanë të drejta të garantuara që janë të veçanta dhe të pashembullta në raport me të drejtat e disa komuniteteve jo-shumicë në Evropë. Normalizimi i raporteve mes Kosovës e Serbisë është detyrim i kësaj gjenerate, është obligim ndaj qytetarëve në Kosovë e Serbi, është një hap themelor që Kosova dhe Serbia të hyjnë në BE”, tha Thaçi, transmeton Koha.net.

Në pyetjen se a do të ketë Kosova së shpejti ushtrinë e saj, Thaçi po ashtu përgjigjet me bindje të plotë.

“Po, patjetër. Edhe këtu, në lidhje me domosdoshmërinë e krijimit të Forcave të armatosura të Kosovës, ekziston konsensus mes nesh në Kosovë dhe mes nesh e NATO-s. Çështja është se si do ta realizojmë transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcë të armatosur të Kosovës: me ndryshim të Kushtetutës apo me amendamente në Ligjin për FSK-në”, u shpreh Thaçi.

Ai shprehet optimist edhe kur flitet për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Nuk është mirë të flitet për afate kohore, por mendojmë se pas nënshkrimit të marrëveshjes ligjërisht obliguese mes Kosovës e Serbisë, dhe shpresoj se kjo do të ndodhë këtë vit, do të duhej paraqitur për anëtarësim në OKB. Kjo marrëveshje dhe normalizimi i raporteve mes Kosovës e Serbisë do të duhej t’i siguronte Kosovës hyrjen në OKB”, deklaroi presidenti Thaçi.

Në lidhje me raportet mes Kosovës dhe Kroacisë, Thaçi u shpreh krenar me “raportet e shkëlqyera” mes dy vendeve.

“Ka shumë gjëra që i lidhin Kosovën e Kroacinë në të kaluarën e hidhur. Edhe ne edhe Kroacia hymë në luftë mbrojtëse dhe në fund u bëmë shtete të pavarura. I gëzohemi çdo avancimi të Kroacisë e cila tash e disa vite është pjesë e NATO-s dhe BE-së. Besoj se do t’i bashkëngjitemi asaj së shpejti. Mendoj se mund të bëjmë më shumë në bashkëpunimin tregtar e ekonomik mes dy vendeve. Po ashtu, së shpejti përfaqësimi kroat në Parlamentin e Kosovës duhet të sigurohet me një vend të garantuar. Për këtë duhet ndryshuar Kushtetuta dhe jam i gatshëm që të jap kontributin tim”, përfundoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Related posts