Në rezidencën e ambasadorit amerikan, Greg Delawie, sonte është mbajtur ceremonia e shënimit të 242 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë politikanët kryesorë kosovarë, pjesëtarëve të Shoqërisë Civile, mediave, kulturores, sportit, etj.
Të pranishëm kanë qenë edhe presidenti dhe kryeministri, Hashim Thaçi, përkatësisht, Ramush Haradinaj.
Në fjalimin e tij drejtuar të pranishmeve, presidenti Thaçi tha se 4 Korriku, Ditën e Pavarësisë së Amerikës, kosovarët e festojnë sikur të ishte festë shtetërore e Kosovës.
“Kjo është e kuptueshme për shtetin me pro amerikan në botë. Kështu ka qenë dhe do të mbetet, sepse vlerat tona i bashkohen popullit amerikan”, tha ai, raporton lajmi.net.
Sipas Thaçit, Kosova i ka pranuar këto vlera dhe po punon për të qenë pjesë e BE-së, NATO-s dhe OKB-së.
“Ne jemi në rrugë të duhur për të arritur këtë qëllim. Luftimi i krimit dhe korrupsionit do ta lehtësojë këtë rrugëtim”, tha ai, duke shtuar se pengesa kryesore e këtij rrugëtimi mbetet arritja e marrëveshjes përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Prandaj kjo e bënë dialogun e pashmangshëm për të ardhmen tonë… Kjo kërkon përgjegjësi nga të gjithë ne, partitë, institucionet, mediat, OJQ-të”, tha presidenti kosovar.
Në këtë rrugë, shtoi ai, Kosova e ka mbështetjen e parezervë të SHBA-ve, BE-së dhe të gjithë partnerëve tanë të cilët duan të shohin Kosovën dhe rajonin në paqe.
“Prandaj ta respektojmë këtë mbështetje nga miqtë tanë”, tha ai në fund, duke uruar amerikanët në emër të kosovarëve për Ditën e Pavarësisë, 4 Korrikut. /Lajmi.net/