Presidenti Hashim Thaçi ka zhvilluar në Bruksel një takim me komisionerin e BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johanes Hahn.
Thaçi duke e quajtur takimin si produktiv, ka thënë se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave dhe tani institucionet e BE-së duhet të përmbushin procedurat e nevojshme.
Presidenti Thaçi përmes një publikimi të bërë në rrjetin social Facebook, tha se ishte konstatim i përbashkët se votimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi ishte përmbushje e kushtit për liberalizimin e vizave.
Reagimi i plotë i Thaçit:
Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Sapo përfundova takimin me Komisionerin Hahn në Bruksel. Ishte një takim shumë produktiv. Institucionet e Kosovës, pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Tani është radha që Bashkimi Evropian t’i përfundojë procedurat që lëvizja e lirë e qytetarëve të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Kosova do të vazhdojë përkushtimin edhe më të lartë për rend dhe ligj dhe reforma të gjithëmbarshme. Komisioneri Hahn u zotua se do të përmbushin procedurat e nevojshme në kuadër të institucioneve të BE-së. Ishte konstatim i përbashkët se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi ishte jo vetëm përmbushje e kushtit për liberalizim të vizave, por edhe një hap i rëndësishëm strategjik për fuqizimin e paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon.