Presidenti Hashim Thaçi thotë se e kupton qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës megjithatë ai i kujton shtetit spanjoll se Kosova nuk ka asgjë të përbashkët me Katalonjën.
Prishtina e kupton vendimin e kryeministrit të Spanjës, Mariano Rajoy, për të mos u bërë pjesë e Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje, ka thënë Presidenti Thaçi për Euroactiv.com.
“Natyrisht, në asnjë rrethanë nuk mund të tërhiqen paralele mes neve dhe Spanjës, sikurse që Kosova nuk është si Katalonja”, është shprehur Thaçi, transmeton Express.
Duke folur për Euroactiv.com, Thaçi ka thënë se Kosova ka “ndjenjë miqësore” ndaj Spanjës.
“Ne e respektojmë traditën demokratike në shtetin e Spanjës dhe gjithashtu integritetin e saj territorial”, ka thënë Thaçi.
“Ne e kuptojmë ndjeshmërinë e çështjes së Spanjës dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë shtete mike. Shpejt ose vonë ne të gjithë do të jemi anëtarë të një familjeje të madhe, në BE”, citohet të ketë thënë Presidenti Thaçi.
Më 23 mars kryeministri spanjoll njoftoi homologun e tij bullgar, Boyko Borissov se ai nuk do të marrë pjesë në Samitin e Sofjes pasi nuk dëshiron që të ulet në tavolinën e njëjtë me Kosovën.
Megjithatë, Rajoy mori pjesë në një darkë informale në Sofje një ditë para se aty të arrijnë liderët evropianë për të dërguar mesazhin se ai nuk do të ofendojë nikoqirët bullgarë.
“Ne kemi një çështje të rëndësishme. Bisedimet e zgjeruara me shtete që nuk i kanë njohur përfshirë këtu edhe Spanjën. Kjo na krijon neve pak shqetësim”, kishte thënë kryeministri i Spanjës.
Në Samitin e Sofjes, Spanja po përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bashkimin Evropian, Juan Pablo, derisa të gjitha shtetet pjesëmarrëse përfaqësohen nga udhëheqësit e tyre. /Express/