970×90
970×90
970×90
970×90

Thaçi i kërkon Qeverisë nisjen e punës për Asociacionin

Thaçi i kërkon Qeverisë nisjen e punës për Asociacionin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në koordinim me drejtuesit e institucioneve të lata të Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për funksionalizimin e Ekipit menaxhues për hartimin e draft statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, konfirmojnë zyrtarët kabinetit të presidentit Thaçi.

Bekim Çollaku, shef i kabinetit të presidentit Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se lidhur me krijimin e mundësive për fillimin e punës që ndërlidhet me themelimin e Asociacionit, presidenti tashmë është duke u konsultuar me drejtuesit institucionalë.

“Në këto momente kur po flasim, unë mund të konfirmoj me përgjegjësi se presidenti është në konsulta të ngushta me kryeministrin dhe me kryetarin e Kuvendit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që të harmonizohet gjithçka, në mënyrë që Ekipi menaxhues të fillojë punën sa më shpejtë që të jetë e mundur, në hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Çollaku.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq, ditë më parë ka thënë se marrë parasysh që marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk po themelohet edhe pesë vjet pas arritjes së Marrëveshjes në Bruksel, do t’i sugjerojë presidentit serb Aleksandar Vuçiq që ta tërheqë nënshkrimin nga Marrëveshja e Brukselit.

“Është tepër tolerant karshi kësaj çështje. Unë e kam nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit. Unë do ta kisha tërhequr nënshkrimin tim dhe do tu thosha ‘nuk e doni bashkësinë e komunave serbe? Në rregull, edhe ne nuk e duam pjesën tjetër të Marrëveshjes së Brukselit. E kthejmë në gjendjen e mëparshme. Çfarë është gjendja e mëparshme? Institucionet serbe dhe kthimi i këtyre institucioneve në Kosovë”, ka thënë Daçiq.

Por, Çollaku i ka vlerësuar deklaratat e Daçiqit si taktika që lidershipi i Serbisë i përdorë për qëllime të brendshme karshi opinionit serb. Mirëpo, sipas tij, deklaratat e tilla nuk janë fare parimore, për shkak se vonesa për zbatimin e marrëveshjeve ka nga të dy palët dhe në aspektin e zbatimit të marrëveshjeve Serbia është shumë më e vonuar se sa Kosova. Megjithatë, sipas tij, Kosova do t’i zbatojë në mënyrë të përpiktë zotimet që ka marrë mbi vete.

“Ekipi menaxhues, i cili është përgjegjës për hartimin, përpilimin e draft-statutit, është themeluar qysh në vitin 2016. Mirëpo, i njëjti ekip nuk e ka bërë punën e tij dhe për këtë nuk është fajtore Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ju e dini që në vitin 2016 dhe 2017, me muaj të tërë ka pasur bojkotim të institucioneve të Republikës së Kosovës nga Lista Serbe dhe kjo ka qenë një nga arsyet kryesore pse ky Grup menaxhues nuk e ka kryer punën e vet”, theksoi Çollaku.

Çollaku ka shtuar se shpresohet që nga Qeveria e Serbisë të ketë instruksione pozitive për përfaqësuesit e komunitetit serb që janë anëtarë të Ekipit menaxhues, që të punojnë me përkushtim për draftin e statutit për Asociacionin.

Por, Lista Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet qendrore në Kosovë, në vazhdimësi ka përsëritur qëndrimin dhe kërkesën e saj që Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet sipas marrëveshjes fillestare të vitit 2013 dhe jo sipas marrëveshjes së vitit 2015.

Ndërkaq, Çollaku ka theksuar se të gjitha dokumentet zyrtare të nënshkruara nga të dy palët, me prezencë të ndërmjetësuesit, pra të Bashkimit Evropian, lidhur me Asociacionin, do të zbatohen në mënyrë të përpiktë. Kjo sipas tij nënkupton që draft-statuti për Asociacionin do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për t’u vlerësuar nëse është në përputhje me kushtetutën e vendit.

“Nuk do të ketë asnjë lloj devijimi, sa i përket themelimit të këtij Asociacioni. Ai do të bëhet në përputhje me të gjitha dokumentet e nënshkruara deri më tani dhe natyrisht, ai nuk mund të formohet me asnjë mënyrë tjetër, përveçse i njëjti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, u shpreh Çollaku.

Ndryshe, zyrtarët e Bashkimit Evropian i kanë dhënë rëndësi zbatimit të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese dhe në veçanti, siç është thënë,nevojës urgjente për të filluar me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut në Bruksel, kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila, ndër tjera, parasheh edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në gusht të vitit 2015, është arritur marrëveshja e cila specifikon formimin e Asociacionit, në të cilën marrëveshje, në mënyrë të qartë thuhet se Asociacioni i formohet sipas ligjeve të Kosovës dhe që Gjykata Kushtetuese është e obliguar të shpallë kushtetutshmërinë.

Por, përmes një verdikti, Gjykata Kushtetuese, në dhjetor të vitit 2015, pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, të datës 25 gusht 2015, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Related posts