970×90
970×90
970×90
970×90

Thaçi: Heroizmi i Sali Çekajt do të mbetet inspirim dhe krenari për brezat e rinj

Thaçi: Heroizmi i Sali Çekajt do të mbetet inspirim dhe krenari për brezat e rinj

 Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore për 19-vjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj.

Presidenti Thaçi ka thënë se po kujtojmë dhe nderojmë jetën dhe veprën e një bashkëluftëtari dhe bashkatdhetari, që tërë energjitë morale, intelektuale dhe fizike i vuri në shërbim të atdheut.

“Sali Çekaj që në vitin 1981 ishte renditur aty ku duhej, me lëvizjen studentore, që fuqishëm i bashkoi gjithë qytetarët e Kosovës rreth kërkesës për ngritjen e statusit të Kosovës në nivel të Republikës. Viti 1981 shënoi kthesën e madhe politike, duke e bërë të qartë rreshtimin për rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe çlirimit nga Jugosllavia komuniste, përkatësisht nga administrimi i Beogradit. Si kuadër me vokacion prej juristi, Sali Çekaj është ndër të parët që hartoi statusin e Komunës së Deçanit, duke implementuar konkretisht parimet e Kushtetutës së Kaçanikut. Si shumë veprimtarë, edhe Sali Çekaj pati fatin e njeriut të përndjekur nga policia serbe, prandaj detyrohet të qëndrojë jashtë Kosovës. Edhe si emigrant, Sali Çekaj luajti rolin bashkues në mesin e diasporës shqiptare në Perëndim. Si profesionist, ai e donte drejtësinë, por gjithashtu e dinte se liria ishte kushti themelor i çdo drejtësie”, u shpreh presidenti Thaçi.

Me të filluar lufta për çlirimin e Kosovës, presidenti Thaçi tha se Sali Çekaj bashkë me kuadro të tjera oficerësh, me ndërgjegje të lartë dhe profesionalizëm, iu përgjigj momentit historik.

“Sali Çekaj iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke i dhënë impuls të ri, energji dhe profesionalizëm. Prandaj, ai ishte sintezë e intelektualit dhe guerilit, juristit dhe ushtarakut, luftëtarit dhe prijësit në luftë për liri. Tërë këto cilësi ai i dëshmoi në beteja”, shtoi presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se Sali Çekaj mbolli guxim e shpresë në terrene lufte dhe me nder e barti nofkën luftarake “Veterani”.

Komandantët Agim Ramadani dhe Sali Çekaj, sipas presidentit Thaçi, janë dëshmia më e mirë se lufta për liri krijon tipin e luftëtarit që është i gatshëm për sakrificë supreme.

“Ata, nga komandantë u bënë prijës. Nga prijës, heronj. Ne, sot krenohemi me emrin dhe veprën e tyre. Ashtu siç krenohemi me secilin prej dëshmorëve”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti i vendit theksoi se në kujtesën tonë institucionale e kolektive, heroizmi i Sali Çekajt dhe luftëtarëve të tjerë, do të mbetet inspirim dhe krenari për brezat që vijnë.

Related posts