Zëvendës kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka vizituar sot në Hagë ish-deputetin e Vetëvendosjes, Rexhep Selimin dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqin.
Ishte vetë Bislimi ai që njoftoi për vizitën përmes një statusi në Facebook. Ai shkroi se vizita tre orëshe në Qendrën e Paraburgimit në Hagë kishte shkuar si 30 minuta.
“Sot vizitova në Hagë mikun tim Rexhep Selimin. Si gjithnjë i disponuar dhe me besim të plote në drejtësi. Edhe pse larg Kosovës, nuk i kishte ikur as edhe një detaj i vetëm nga zhvillimet politike në vend. Gjithashtu pashë edhe bacën Jakup që po mbahej jashtëzakonisht mirë. Tri orë ikën si 30 minuta”, shkruan Bislimi.
Mirëpo, në paragrafin e shkurtër njoftues të Bislimit nuk përmenden ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli. Zëvëndëskryeministri nuk tregoi nëse Thaçi e Veseli kanë refuzuar takimin me të, apo vetë ai nuk ka dashur t’i takojë.
Ish-presidenti Thaçi e Kadri Veseli, rreth një muaj më parë kishin pranuar të takoheshin me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.
Ky i fundit në Hagë ishte takuar edhe me Pjetër Shalën, Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
“Vizitova Thaçin, Veselin, Krasniqi, Selimin dhe po ashtu Gucatin, Haradinaj dhe Shalën. Siç e dini për Salih Mustafën është një proces më i ndërlikuar, ai ka qenë në një izolim deri para një muaji. Të gjithë që i pash janë shumë mirë me shëndet, kanë vullnet dhe janë të qëndrueshëm. Shqetësimi i tyre është që po pretendohet për disa shkelje që po bëhen edhe nëpër procedura, për të cilat nuk ka asnjë mekanizëm të ankesës”, ka deklaruar Konjufca pas kthimit nga Haga.
Në mars të këtij viti drejt Hagës kishte udhëtuar edhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Ministrja Haxhiu dhe zëvendësi i saj Blerim Sallahu ishin refuzuar për takim nga ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Kur ishte pyetur për arsyen e refuzimit të takimit , Haxhiu, kishte thënë se nuk ka pasur vullnet për t’u takuar nga ana e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, pasi këta të fundit refuzuan ta takojnë Haxhiun e cila ishte për vizitë më 31 mars në Hagë.