Ujëra të kristalta, hotele shik dhe një ndjesi e vërtetë mikpritjeje: këtë ofron Shqipëria për turistët e huaj, e pohuar në një reportazh të televizionit francez TF1 kushtuar Shqipërisë, të cilën nuk ngurron ta përshkruajë si “Riviera tjetër”, ndryshe nga ato në Europë dhe më gjerë, si një paketë çmimi “dy në një”, pra paguan dy herë më pak.
Teksa konstatohet një “bum turistik” në Shqipëri, përcillet në të njëjtën kohë befasia me ritmet e shpejta të zhvillimit: nga një vend i dalë i diktatura, me një reputacion jo të mirë, ajo është kthyer në një “Eldorado të turizmit” në Europë, siç thotë prezantuesi.
Udhëtarët tashmë po vijnë nga e gjithë bota, theksohet në reportazh; vitin e kaluar ishin 10 milionë, dy herë më shumë se përpara dy vjetësh.
Gazetarët ndjekin udhëtimin e një grupi turistësh në jug te vendit, teksa kujtojnë se ky “boom” pason vite të tëra krize ekonomike, ndërsa tani ajo që u ofrohet të huajve janë bukuri të pafundme, por edhe investime cilësore, plazhe të mira, ndërsa analizohet edhe cilësia e ushqimit dhe shërbimit.
Në fokusin e agjencisë së udhëtimit ka qenë zona e Himarës, por edhe pjesë të tjera të jugut shqiptar. Teksa nënvizon se këtë vit, sipas shifrave zyrtare flitet për mbi 1,1 mln turistë më shumë se viti i kaluar, tregohet sesi në Himarë, banorët kanë nisur ta kthejnë masivisht vëmendjen tek turizmi, të cilin e përshkruajnë si sektorin më të mirë për ta…
Një nga turistet e intervistuara franceze, thotë se nuk kishte qenë më parë, por ka mbetur e befasuar nga mikpritja e njerëzve dhe bukuria e zonës.
“Është një mrekulli këtu, është tamam ashtu siç duhet”, shprehet turisti.
Përshkruhet si përrallore nga gazetarët Riviera e bregdetit të Sarandës, me ujra Kristal, panoramën e bukur e qetësinë, ndërsa nuk mungon dhe një vëzhgim mbi kodrat pranë bregdetit ku po investohet kryesisht në ndërtime të resorteve, hoteleve apo lokaleve.
Evidentohet po kështu një tipologji gastronomie dhe shërbimi ndryshe, e mbështetur te prodhimet bio të zonës, gatimet tradicionale apo fakti që produktet e bulmetit vijnë direkt nga fermat e kafshëve të zonës ndërsa përdoren fruta e perime të sezonit.
Veçanërisht bien në sy ëmbëlsirat me krem, byrekët me qumësht, mishi i shpendëve dhe të tjera.
Nuk i shpëtojnë vëmendjes së gazetarëve franceze as festat e hareshme të natës, me magjinë e adrenalinës nga muzika, ndërsa vërejnë se ndihet ndryshimi vit pas viti, teksa thonë se çmimet i shkojnë cilësisë së ofruar gati europiane, madje janë dhe më të lira se në vendet e tjera të njohura të kontinentit, duke përmendur deri edhe Ibizën./Top Channel