
Telekomi i Kosovës është bërë strehë punësimi edhe për individë në pensionim apo afër tij, në kohën që kërkohet më shumë inovacion në këtë ndërmarrje.
Një fat i tillë e ka përcjellë Shaqir Qerimin, i cili pak pa i mbushur 60 vjet, u punësua në ndërmarrjen publike, madje si agjent i shitjes, raporton KTV.
Edhe më mirë për familjen është bërë kur vajza e tij, Shehide Qerimi Lushtaku, u punësua si drejtoreshë e Auditimit, disa muaj më vonë. Ajo është bashkëshortja e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku.
E, anëtari i Bordit të Drejtorëve në Telekom rastis të jetë Sead Ujkani, i cili është shok i ngushtë i Gëzim Qerimit, që është djali i Shaqirit, respektivisht vëllai i Shehides.
Si drejtoreshë e departamentit të Auditimit, Shehide Lushtaku Qerimi është përgjegjëse për t’u siguruar nëse Telekomi zbaton ligjet dhe procedurat e punësimit.
Në pozitën e rëndësishme, Qerimi – Lushtaku është përzgjedhur nga një komision, pjesë e të cilit ka qenë edhe Sead Ujkani, që është edhe mik i deputetit Mërgim Lushtaku.
“Kohavisioni” ka kontaktuar anëtarin e Bordit, Sead Ujkanin, për të pyetur nëse ka përdorur autoritetin e tij për këto punësime, por ai ka akuzuar mediat për shantazh dhe dëmtim të imazhit të ndërmarrjes.
Ujkani ka thënë se pyetjet i janë drejtuar gabimisht, pasi për këtë përgjegjës është menaxhmenti i Telekomit.
“Kërkoj që të mos raportoni në mënyrë tendencioze duke shpifur edhe për ndikimin politik në procesin e përzgjedhjes sime, apo edhe duke paraqitur foton time disa herë pa qenë fare pjesë e lajmit… konform të drejtës sime do të vazhdoj me procedurat përkatëse ligjore për secilin shantazhim personal që grupe të interesit shfrytëzojnë mediat për arritjen e qëllimeve të tyre që janë në kundërshtim me ligjin dhe dëmtojnë interesin e ndërmarrjes”, ka thënë Ujkani në një përgjigje me shkrim.