Pjesëtarët e Bordit të kompanisë së prodhimit të makinave elektrike, Tesla, në pronësi të Elon Musk, janë gjendur përballë një dileme. Investitori Steve Juverston, drejtor për shumë vite bashkë me të tjerë, ishte larguar nga kompania pasi një hetim i brendshëm kishte zbuluar jetën libertine që bënte me shumë gra në sektorin e teknologjisë, si dhe përdorimin e paligjshëm të drogave.
Pasi dolën detajet e para në vitin 2017, shumë pjesëtarë të bordit i kishin kërkuar të largohej. Për fatin e tij, Juverston kishte një mik të mirë dhe të fuqishëm, i cili kishte lidhje të ngushta financiare me të dhe kish marrë pjesë bashkë me të në festa duke përdorur ekstazi dhe lsd. Ai është Elon Musk.
Në takime të rezervuara, Musk bindni këshilltarët që ta lejonin të merrte një pushim të gjatë dhe më pas të dorëhiqej vetë në vitin 2020. Në fund, ai mbeti në ekipin drejtues të SpaceX, kompania që prodhon raketa dhe që është gjithashtu nën pronësinë e Musk. Kur u pyet si bordi e kishte menaxhuar këtë rast, Antonio Gracias një tjetër ish drejtues i Tesla dhe mik i mirë i Musk, gjatë një dëshmie në gjykatë në vitin 2021 tha: “Reagim nuk pati fare, thjesht pritëm si do të shkonte”. Vlerësohet se Gracias ka investuar 1.5 miliard dollarë në kompanitë e Musk. Shumë drejtorë të tjerë në kompanitë e Musk kanë marrëdhënie financiare dhe miqësore shumë të ngushta me të. Dhe kanë nxjerrë fitime të mëdha nga këto marrëdhënie. Të martën e kaluar, një gjykatës në Delaëare anuloi paketën shumëmiliardëshe të pagës për Musk tek Tesla, duke pohuar se anëtarët e Bordit që e kishin autorizuar atë paketë në vitin 2018, ishin në borxh me të.
Shumë drejtues apo ish drejtues të Tesla dhe SpaceX shkojnë në festa me të, shkojnë për pushime në vende ekzotike, marrin pjesë në festivalin e përvitshëm të “Burning Man” në Nevada. Musk dhe këta drejtues – mes tyre investitorë si Gracias dhe Ira Ehrenpreis, tekno-guruja Larry Ellison, ish drejtuesi i mediave James Murdoch, dhe vetë vëllai i tij Kimbal Musk – kanë investuar dhjetëra miliona dollarë në kompanitë e njëri-tjetrit. Disa prej tyre kanë marrë dhe mbështetje për të bërë karrierë, nga Musk.
Sipas disa personave që kanë qenë të pranishëm teksa ai konsumonte substanca të ndaluara, disa menaxherë të spikatur të Tesla dhe SpaceX i njohin zakonet e tij, por nuk kanë bërë asgjë.
Në janar, Wall Street Journal shkruajti se Musk konsumon drogëra, mes të cilave kokainë, ekstazi dhe lsd e kërpudha haluçinogjene dhe për drejtuesit e Tesla dhe SpaceX situata është bërë shqetësuese, sidomos kur bëhet fjalë për konsumin e ketaminës, për të cilën thotë se ka recetë mjekësore.
Në kulturën që Musk ka krijuar përreth vetes, disa miq mes të cilëve dhe drejtues, apo ish drejtues, kanë përshtypjen që ai pret prej tyre që të konsumojnë, dhe nëse nuk e bëjnë do ta shohin t’u kundërvihet. Për disa prej tyre, kjo është pothuaj njësoj si të ndihen miq të një mbreti. Musk dhe përfaqësuesi i tij ligjor, Alex Spiro nuk iu përgjigjën kërkesave të gazetarëve për komente. Spiro deklaroi se Musk u nënshtrohet periodikisht testeve antidrogë. Vetë Musk e shkroi një sqarim të tillë në X, duke shtuar se “nëse drogat do të më duheshin vërtet për të rritur produktivitetin në kohë, padyshim që do i merrja”.
Disa drejtues të bordit janë të shqetësuar për pasojat që sjellja e Musk do të kishte mbi kompanitë që drejton dhe afro 800 miliard dollarë asete të investitorëve. Por pavarësisht shqetësimeve, bordi i Tesla nuk kreu hetime.
Në dimrin e 2022, Larry Ellison, mik i Musk dhe ish drejtues në Tesla, e ftoi në ishullin e tij në Hauai për t’u relaksuar dhe dezintoksikuar. Një vit më herët, Ellison e kish takuar Musk në një festë të industrisë automobilistike në Miami. Më pas, kur i bëri ofertën, ndodheshin në një festë në kodrat e Hollyëood-it, ku Musk mori ekstazi në formë të lëngët nga një shishe uji që mbante në dorë. Sipas atyre që ishin të pranishëm, fillimisht truprojat e Musk kishin larguar të gjithë nga salla, për të patur pak më shumë privatësi.
Me kalimin e viteve, anëtarët e Bordit të Tesla kanë marrë qindra miliona dollarë për poltronat ku ulen, shumë më tepër se sa mesatarja në kompanitë që janë në bursë… (bota.al)