
Ka përfunduar faza e grupeve në Rusi, tani do të fillojë Botërori me të vërtetë.
Ndeshja më interesante në 1/8 e finales konsiderohet ajo mes Francës e Argjentinës, që zhvillohet nesër në “Kazan Arena” në ora 16:00.
Në po të njëjtën ditë, luhet edhe ndeshja Uruguai – Portugali, fituesi i të cilës do të përballet me fitimtarin e sfidës së parë të 1/8 së finales në Kupën e Botës.
Interesante do të jenë edhe përballjet, Brazil – Meksikë dhe Belgjikë – Japoni, pasi në rast fitoreve të skuadrave favorite, ato do të përballen mes vete në çerekfinale ndërsa në gjysmëfinale do të luhet një tjetër super duel, do të presin njërën skuadër; Francën, Argjentinën ose Portugalinë.
Spanja e Kroacia pritet të kenë punë të lehtë në 1/8 pasi do të përballen me Danimarkën, respektivisht Rusinë. Në rast fitoreve, këto dy skuadra do t’i matin forcat në çerekfinale, para se të kalojnë në gjysmëfinale aty ku mund të kenë punë me Anglinë.
“Tre Luanët” iu gëzuan humbjes nga Belgjika sepse i janë shmangur Brazilit pasi nëse e mposhtin Kolumbinë, atëherë në çerekfinale do të kenë punë me Zvicrën e shqiptarëve ose Suedinë dhe vetëm në gjysmëfinale mund të përballen me një skuadër më të fortë, shkruan Gazeta Express.
Kush me kë mund të përballet dhe orarin e ndeshjeve mund ta shikoni më poshtë.
