Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po qëndron në Bruksel ku ka mbajtur një takim me homologun serb Aleksandar Vucic nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE’së, Federica Mogherini
Në një njoftim në faqen zyrtare pas takimit, Zyra e BE’së për Marrëdhënie me Jashtë ka thënë që në takim është diskutuar platforma e raundit të ri të dialogut, që do të shërbejë për të përgatitur një marrëveshje për normalizim të gjerë të marrëdhënieve.
“Përfaqësuesja e Lartë [Mogherini] e nënvizoi rëndësinë që BE i jep implementimit të plotë të marrëveshjeje ekzistuese, me theks të veçantë nevojën urgjente për të themeluar Asociacionin e Komunave të shumicës serbe…”, thuhet në njoftim.
Procesi për normalizim të plotë të marrëdhënieve është thënë që pritet të përfundojë në fund të vitit 2019, kur edhe përfundon mandati i Mogherinit si Përfaqësuese e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur ligjin për Asociacionin në kundërshtim me Kushtetutën në dhjetëra pika të saj, ndërsa votimi i saj në Kuvend ishte kundërshtuar ashpër.