Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka shprehur edhe njëherë përkushtimin e tij për krijimin e një sistemi kredibil të deklarimit të pasurisë. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ministri Tahiri ka theksuar se është duke u punuar në finalizimin e projektligjeve për Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe atë për Deklarimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik.
“Prioritetet politike për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe garantuar integritetin e institucioneve, jemi duke i përkthyer në politika publike që sjellin zgjidhje praktike për problemet e hasura ndër vite, e në anën tjetër avancojnë standardet në ofrimin e shërbimeve të mirëfillta që qytetarët presin nga institucionet dhe të ngarkuarit për ofrimin e tyre. Me përkushtim të madh jemi duke punuar në finalizimin e projektligjeve për Agjencinë Kundër Korrupsionit si dhe Deklarimit të Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik.
Një mandat i qartë dhe i profilizuar i Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe në harmoni të plotë me organet e pavarura të zbatimit të ligjit, një sistem kredibil i deklarimit të pasurisë me fokus në saktësinë e të dhënave të deklaruara, paraqesin debatet që jemi duke i shtyrë më tutje, gjithmonë në konsensus me partnerët tanë zhvillimor dhe shoqërinë civile” ka shkruar Tahiri.
Gjithë këto ndryshime në norma ligjore, sipas ministrit, do të mundësojnë masa të duhura në ndaljen e abuzimit me pushtet dhe keqpërdorimin e parasë publike. Sipas tahiri, praktika e mosndëshkimit të keqpërdoruesve do të marrë fund. “Përmes këtyre dy projektligjeve, po ndërtojmë instrumentet e duhura për efikasitet më të lartë kundër korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe keqpërdorimit të parasë publike. Praktika e mosndëshkimit të keqpërdoruesve në Republikën e Kosovës, do të marrë fund një herë e përgjithmonë” ka përfunduar Tahiri.