
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi një patrullë e Policisë së Kosovës u sulmua me armë zjarri këtë të premte në veri të vendit.
Svecla në reagimin e tij ka thënë se grupet kriminale të mbështetura nga Serbia po synojnë që të ngjallin frikë dhe pasiguri duke targetuar zbatimin e ligjit.
Sërish patrulla e Policisë së Kosovës është qëlluar me armë zjarri. Grupet kriminale të mbështetura nga Serbia synojnë të krijojnë një atmosferë frike dhe pasigurie duke targetuar zbatimin e ligjit”, ka shkruar ai në Twitter.
Tutje, ministri ka thënë se qëllimi i tyre është që ta bëjnë veriun e Kosovës zonë të paligjshme dhe të udhëhequr nga kriminelët.
“Përpjekjet e tyre përfundimisht do të dështojnë”, ka përfunduar Sveçla.
Policia e Kosovës njoftoi të premten se persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore, e cila ka qenë me detyrë zyrtare në lokacionin Banjskë – Izvor të Komunës së Zveçanit.
“Fatmirësisht nuk raportohet për zyrtar policor të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga ana e majtë e vozitësit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri”, u tha në njoftim.
“Lidhur me rastin janë ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore, përfshirë edhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes, nga ku është konstatuar se vetura është goditur me një predhë të armës së zjarrit”.
Tutje, u tha se njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur (xhip-opel), në një rrugë malore në distancë prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur.
“Automjeti i dyshuar i cili ka poseduar targa të dyshuara, të cilat dyshohet se nuk i përkasin të njëjtit automjet, është konfiskuar nga Policia e Kosovës për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore dhe të ekzaminimit”, thuhej mes tjerash në njoftim.