
Gazeta Sinjali para pak minutash raportoi për arrestimin e një zyrtari policor në Pejë, i cili dyshohet se ka shantazhuar, ngacmuar dhe kanosur një femër në Pejë, për të cilin IPK njoftoi se është suspenduar.
Informacionet e para lidhur me këtë rast nga IPK-ja janë pranuar përmes një ankese të adresuar te Inspektorati Policor rreth një javë më herët.
“Bazuar në autorizimet ligjore, hetuesit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore duke përfshirë sekuestrimin e përkohshëm të një telefoni mobil në cilësi të provës materiale si dhe intervistimin e të dyshuarit.
Pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor (të dyshuar në këtë rast) me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprat penale “shantazh”, “kanosje” dhe “ngacmim”.
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar”, thuhet tutje në njoftimin e IPK-së.