Kosova duket se nuk do të anëtarësohet në Këshillin e Europës këtë muaj. Për publicistin Veton Surroi, ky është një rast i humbur gjeopolitik nga ana e Bashkimit Europian.
“Përderisa i shkruaj këta rreshta, ka më shumë siguri që votimi për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës të shtyhet sesa që këtë javë Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë. Dhe, nëse shtyhet, mund të ndodhë që të shtyhet madje edhe për majin e vitit 2025”, shkruan Surroi në krye të një qëndrimi të publikuar sot në Koha.
Ai sheh “në thelb dy mënyra se si të analizohet kjo ngjarje”, ndërsa i referohet mundësisë së madhe që Kosova nuk do të anëtarësohet në KiE tash.
“Njëra është në formë konvencionale: Kosova nuk do të pranohet në Këshill të Evropës, për shkak se nuk i përmbushi kërkesat e parashtruara para saj”, shkruan ai.
“Tjetra është gjeopolitike. Në këtë formë interpretimi, Këshilli i Evropës, një institucion themeltar i bashkimit të evropianëve pas Luftës së Dytë Botërore, nuk do ta mbulojë nën strehën e vet një shtet evropian me ndjenjë të theksuar evropiane, Kosovën”, shton Surroi.
Ai shkruan se “në garën mes konvencionit dhe gjeopolitikës, Evropa nuk zgjodhi asnjërën”.
“Në këtë adaptim ndaj kohëve të gjeopolitikës, Evropa, me peshën e jashtëzakonshme të shteteve anëtare të BE-së nuk ka treguar se mund të flasë njëkohësisht për sfida globale në Ukrainë, Gaza, marrëdhëniet Amerikë-Kinë, inteligjencë artificiale e të ngjashme, e të veprojë gjeopolitikisht me një gjest shumë më të vogël e megjithatë, të rëndësishëm, siç do të kishte qenë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ditëlindjen e saj të 75-të. Dhe duke mos e bërë këtë, t’u nënshtrohet pyetjeve të natyrshme: nëse nuk mund të merret një vendim gjeopolitik i kësaj natyre, si mund të merren vendime me peshë e rëndësi dukshëm më të madhe?”, shkruan Surroi.
Shkrimi i plotë këtu.