
Ditën e enjte do të zhvillohen edhe dy ndeshje tjera në kuadër të xhiros së 12-të në Superligën e Kosovës.
Kampioni i Kosovës, Ballkani do ta zhvillojë sfidën kundër Trepçës ’89, derisa Gjilani do ta pres Drenicën.
“Xhebrailat” pas barazimit së fundmi ndaj Drenicës do të synojnë vetëm pikët e plota në Suharekë, në mënyrë që të vazhdojnë garën për titull ndaj liderit momental, FC Drita.
Në anën tjetër, Trepça ’89 së fundmi gjithashtu arkëtoi një pikë ndaj Llapit, andaj siç dihet skuadra e Shpëtim Idrizit do të synojë vetëm fitore.
Në anën tjetër, Gjilani është nikoqir i Drenicës dhe gjithashtu ka nevojë për fitore që të “rikthehet” në garën për titull.
Skuadra e Zekirija Ramadanit vjen nga një fitore ndaj Malishevës pas disa rezultateve negative, andaj synon të mbajë këtë ritëm.
Kurse, Drenica nuk di për fitore që tre takime dhe do të provojë t’i jap fund rezultateve të dobëta.
Të dy takimet do të zhvillohen me fillim nga ora 13:00.
Kujtojmë se dje janë zhvilluar edhe dy ndeshje të tjera në kuadër të kësaj xhiro, me Prishtinën që triumfoi ndaj Dritës (1:2) dhe Malishevën që “demoloi” Ferizajin (0:6).
Renditja momentale pas 12 xhirove, Drita lider i vetëm
Pavarësisht humbjes së pësuar në shtëpi ndaj Prishtinës, me renditjen momentale skuadra gjilanese, Drita vazhdon të jetë e vetme në tabelë.
“Intelektualët” kanë të mbledhur 27 pikë, pesë më shumë se Ballkani, kjo e fundit me dy ndeshje më pak të zhvilluar.
Kurse, Prishtina dhe Gjilani janë duke hyrë në garën për titull, por që kanë nevojë të vazhdojnë me këtë rekord pozitiv, pasi kanë nga 18 pikë në pozitat tre, respektivisht katër.
Në anën tjetër, po zhvillohet një garë e madhe edhe për “mbijetesë” me pozitën e pestë, Llapi që ka vetëm pesë pikë më shumë se Ferizaji që qëndron në fund me tetë sosh.