![Strukturat ilegale serbe vazhdojnë qëndrimin në objektin në Mitrovicë, ani pse orari i punës ka përfunduar](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/09/IMG_6055.jpeg)
Strukturat ilegale serbe po vazhdojnë qëndrimin e tyre në objektin në Mitrovicë të veriut, në Lagjen e Boshnjakëve, edhe pse ka përfunduar orari, shkruan Reporteri.net.
Nga Policia e Kosovës kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se situata atje është e qetë.
Komuna e Mitrovicës së Veriut me anë të një vendimi, ekzekutimi i të cilit para dy javësh ishte shtyrë për sot (8 shtator), u ka kërkuar zyrtarëve ilegalë serbë që të largohen nga objekti, pasi sipas tyre ai i përket Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në anën tjetër deklaroi sot se nuk ka kurrfarë diskutimesh lidhur me atë që serbët në veri të Kosovës “t’ua lëshojnë ndërtesat dhe pronat atyre të cilëve ato nuk iu përkisnin kurrë”.
Ai i bëri këto deklarata në ditën kur skadon afati për largimin e katër institucioneve të Serbisë nga një ndërtesë komunale në Mitrovicë të Veriut.
“Ne kemi treguar vullnet të mirë, kemi biseduar me përfaqësuesit e serbëve që të pranojnë dialogun për mbajtjen e zgjedhjeve në veri”, tha Vuçiq.
Ai tha se të mërkurën ose të enjten e javës së ardhshme, delegacioni i Serbisë do të shkojë në Bruksel për bisedime me delegacionin e Kosovës, takim në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Është obligim për ne. Ne gjithmonë e kemi konsideruar dialogun si mënyrën e vetme për të zgjidhur problemet, dhe problemet vetëm po akumulohen”, tha Vuçiq.
Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se deri më 8 shtator, katër institucione serbe duhet të largohen nga një objekt në Lagjen e Boshnjakëve, pasi kanë argumentuar se i përket komunës së Mitrovicës së Veriut.