Sekretari shtetëror i mbrojtjes në Serbi, Nemanja Staroviq, ka reaguar pas videos së publikuar nga kryeministri Albin Kurti, ku shiheshin forca serbe në kufi me Kosovën.
Përmes një shkrimi në X’, Stareviq thotë se ‘forcat e armatosura serbe, nuk kanë hyrë prej vitit 1999 në Kosovë dhe nuk do të hyjnë kurrë pa lejen e KFOR-it.
“Që ta ripërsërisim, zëshëm dhe qartë, forcat e armatosura eserbe nuk kanë hyrë asnjëherë në territorin e Kosovës pas vitit 1999 dhe nuk do të hyjnë kurrë, pa lejen e KFOR-it, ashtu siç parashihet në Rezolutën 1244”, shkruan Stareviq.
Ai pretendon se publikimet e pamjeve nga ana e kryeministrit Kurti, janë vetëm për t’i ‘shërbyer si pretekst që ta vazhdojë gjahun ndaj komunitetit serb në Kosovë’.
“Sa e papërgjegjshme, përdorimi i disa imazheve gjoja ‘e invazionit’ për të arsyetuar shtypjen dhe dhunën institucionale të serbëve që jetojnë në Kosovë.
Para një viti e gjysmë, Kurti prezantoi okupimin në formë ushtarake të Veriut të Kosovës, duke i ndaluar serbët që të votonin, duke vendosur shqiptarë për të qeverisur në qytetet serbe në veri, dhe që nga shkurti, ka privuar serbët nga monedha.
Të gjitha këto masa diskriminuese të njëanshme, janë aprovuar taktikisht nga ndërkombëtarën, nën pretekstin për ‘mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës’, që nënkupton se Kurti është i lirë t’i trajtojë popullin serb si pengje”, shkruan veç tjerash ai.
Kryeministri Albin Kurti, mbrëmë ka publikuar pamje që thotë se janë nga dy pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, e ku thotë se ‘njësi të specializuara të Serbisë po qëndrojnë pak metra larg kufirit me Kosovën’.
“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.
Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.
Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.
Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, ka shkruar Kurti.