
Kosova e luan sonte ndeshjen e dytë të fazës kualifikuese për Kampionatin Botëror.
Në “Estadio La Cartuja de Sevilla” Spanja e pret Kosovën në takimin e parë mes tyre. Kosova dhe Spanja bëjnë pjesë në Grupin B kualifikues për Botërorin 2022.
Gazeta Express do t’iu mbajë të informuar në kohë reale me çdo gjë rreth kësaj ndeshje.
Në një lidhje direkte me T7, gazetari Berat Buzhala, që është i pranishëm në stadiumin La Cartuja të Sevillës, ka zbuluar se kanë pasur disa probleme të vogla para takimit.
Ai ka zbuluar se atyre i janë afruar një grup i vogël që ishin me flamur të Kosovës dhe kanë tentuar t’ia marrin atë. Buzhala shpjegon se kërkesa e tyre për t’ia marrë flamurin e Kosovës nuk ishte armiqësore, me pretekstin se janë urdhërat nga lart.
Mirëpo, ai zbuloi se me insistimin e tyre, flamuri ka qëndruar në duar të tyre dhe më pas është përfshirë edhe UEFA, duke konfirmuar kështu mbetjen e flamurit.
Klubi gjerman, Werder Bremen i uron fat lojtarit të tyre Milot Rashicës në ndeshjen ndaj Spanjës
“Paq fat në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës ndaj Spanjës, Milot Rashica” – shkroi klubi i Werderit në Twitter.
Gjendja në grupin B, aty ku bën pjesë edhe Kosova është kështu. Suedia prin me gjashtë pikë pas dy ndeshjeve, e ndjekur nga Spanja me katër pikë, një fitore dhe një barazim.
Kosova aktualisht gjendet në vendin e fundit me zero pikë, por me një ndeshje më pak të luajtur. Kujtojmë se vendi i parë shkon direkt në Kampionatin Botëror të vitit 2022, kurse vendi i dytë shkon në play-ff për t’u kualifikuar në Botëror.

Formacionet startuese të ndeshjes Spanjë-Kosovë:
Kosova: Bernard Challandes do të startojë me Ujkanin në portë. Në qendër të mbrojtjes do të jenë Aliti, Dresevic dhe Vojvoda, kurse në krahë Kololli e Hadërgjonaj.
Në mesfushë do të jenë Kryeziu e Halimi, kuese Celina, Muriqi e Rashica do të jenë sulmues. Një ndryshim që vërehet është lënia jashtë e Arbër Zenelit.

Banka rezervë e Kosovës: Halimi, Bekaj, Voca, L.R. Kastrati, Zeneli, Rashani, L.M. Kastrati, Fazliji, Paqarada, Nuhiu, Zhegrova, Hasani.
Spanja: Në portë do të jetë Unai Simon, kurse në mbrojtje do të jenë Llorente, Eric Garcia, Martinez dhe Jordi Alba.
Mesfusha përbëhet nga Pedri, Busquets dhe Koke, kurse Dani Olmo dhe Ferran Torres do ta ndihmojnë Moratan në qendër të sulmit.
Banka rezervë e Spanjës: De Gea, Sanchez, Pedro Porro, Llorente, Canales, Gerard Moreno, Thiago Alcantara, Gaya, Ramos, Rodri, Fabian Ruiz, Oyarzabal.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në twitter, ka reaguar lidhur me ndeshjen e futbollit që do të zhvillohet sot në mes të Spanjës dhe Kosovës.
“Ne të gjithë e mbështesim ekipin Kosovës sot. Lojtarët, flamuri, himni dhe të gjitha. Forca Kosova”, ka shkruar Orlando në twitter.
Kryeministri i Republikës së Kosovës gjithashtu ka shkruar për ndeshjen e sontme që Kosova e luan ndaj Spanjës. Ai u shpreh i ngazëllyer për ekipin kosovar.
“Dy shtete, Kosova dhe Spanja do të luajnë për kualifikimet për Kupën e Botës sonte dhe unë jam i ngazëllyer për ekipin tonë, që përfaqëson Republikën e Kosovës. Mos lejoni asgjë të ju shpërqëndrojë, na bëni krenar dhe ejani në shtëpi fitimtarë”, ka shkruar Kurti.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett i ka uruar fat kombëtares së Kosovës në ndeshjen e sotme me Spanjën në Sevilla.
“I dëshiroj Kosovës fat në ndeshjen e saj kundër Spanjës. Gjithmonë një moment krenar kur mund të luash nën hijën e flamurit të shtetit tënd që valvitet në stadium”, ka shkruar Kosnett.
Me fillim nga ora 20:45 Kosova përballet me Spanjën në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror.
Trajneri i “Dardanëve”, Bernard Challandes po përballet me mungesa të rëndësishme.
Kapiteni Amir Rrahmani mungon shkaku i lëndimit, ndërsa portieri i parë i Kosovës, Aro Muric është përjashtuar nga kampi i Kosovës për këto ndeshje. Në mesfushë mungojnë Valon Berisha i lënduar dhe Herolind Shala i prekur nga virusi COVID-19.
Lajm i mirë është rikthimi i Ibrahim Dresevic i cili ishte i suspenduar në ndeshjen ndaj Suedisë.
Kosova vjen nga një humbje e thellë 0:3 ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri”, kurse Spanja shijoi fitoren e parë në këto kualifikime pasi mposhti Gjeorgjinë në sekondat e fundit të ndeshjes. /Gazeta Express/