970×90
970×90

Sot përpjekja e radhës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

Sot përpjekja e radhës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

Më 4 qershor, tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, deputetët e legjislaturës së nëntë për të 26-tën herë me radhë do të bëjnë përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në mungesë të një marrëveshjeje midis partive politike për zhbllokimin e ngërçit, karrigia e kryetarit të Kuvendit të Kosovës vazhdon të jetë vakant. Albulena Haxhiu, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryekuvendare po dështon t’i marrë votat e nevojshme.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari – deputeti më i moshuar i legjislaturës së nëntë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – po insiston që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës të bëhet përmes votimit të fshehtë.

 

Dehari po tenton ta ndryshojë formën e votimit pas disa përpjekjeve të dështuara për të votuar Haxhiu, për kryetare të Kuvendit të Kosovës me votim të hapur.

Megjithatë ky tentim i tij po hasë me kundërshtimin e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listës Serbe, të cilat po refuzojnë që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Ndryshe në po të njëjtën ditë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar subjektet politike për një takim për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Menjëherë pas konsultimeve, presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve”, ka bërë të ditur Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2021. Lidhja Demokratike e Kosovës pati dalë e para, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Related posts