
Në këtë forum është lajmëruar të jenë mbi 30 panele diskutimi, me mbi 150 folës nga më shumë se 45 shtete.
“Më 2 dhe 3 qershor, Prishtina bëhet edhe këtë vit vendtakimi i zërave nga e mbarë bota, të cilët do të ndajnë vizionin e tyre për “Kodin e Sigurisë për Brezin Tonë”!” thuhet në njoftimin e Presidencës.
Si rezultat i kësaj ngjarje, Policia e Kosovës ka njoftuar se më datat 02 dhe 03.06.2025, do të kujdeset për mbarëvajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe menaxhimin e trafikut rrugor në vend.
Policia do jetë e angazhuar edhe për lëvizjet e personaliteteve dhe delegacioneve të ndryshme lidhur me këtë edicion.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së edicionit në fjalë, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore dhe në afërsi të objekteve relevante” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia shton se do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative dhe ka kërkuar mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.