
Sot, në orën 10:30, në Gjykatën e Lipjanit, do të mbahet seanca ndaj 5 policëve të arrestuar për rastin e Agon Zejnullahut.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj pesë policëve.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit e ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve”, kanë konfirmuar nga Prokuroria.
Në anën tjetër, dje T7 ka publikuar pamje të reja, e ku dëshmohet dhuna e ushtruar nga policët ndaj Agon Zejnullahut.
Për minuta të tërë, i qëndrojnë mbi kokë. Njëri prej policëve, ia mban gjurin në qafë, dhe kokën ia mbështetë për asfalti.
Si rezultat, pamjet e reja kanë shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë.
Policia e Kosovës ditën e djeshme doli me një komunikatë të gjatë për media. Ndër të tjera theksoi se Agoni kishte qenë agresiv, dhe i ishte gjetur edhe drogë.
“Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor. Po ashtu gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për ti ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë. Autoambulanca me ekipin mjekësor emergjent, kanë arritur në vendin e ngjarjes brenda një kohe shumë të shpejtë (3 min), për ti dhënë ndihmën e parë personit në fjalë, ku më pas njësia emergjente ka konstatuar vdekjen e tij”, thuhet në komunikatë.
“Në vendngjarje te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim. Sipas procedurave të parapara ligjore, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore, Prokurori për krime të rënda si dhe Inspektorati Policor i Kosovës. Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Të gjitha provat e siguruara përfshirë edhe pamjet e kamerave që ndihmojnë në zbardhjen e rastit janë ndarë me institucionet relevante, respektivisht me Inspektoratin Policor dhe Prokurorinë”, theksohet më tutje.
Drejtësi dhe hetim të pavarur kërkoi ditën e djeshme presidentja Vjosa Osmani.
Përderisa, ministrat në detyrë, Xhelal Sveçla e Albulena Haxhiu, ishin të vetmit nga pushteti që reaguan.