Sot, bëhen 107 vite nga mbajtja e Kuvendit të Junikut, i cili u mbajtë me nismen e Hasan Prishtinës, Bajram Curri, Isa Boletini, Nexhip Draga. Shkruan GazetaProjekti.
Kuvendi i Junikut punimet e veta i nisi me 21 Maj 1912 dhe zgjati deri me 25 maj. Në të morën pjesë 250 delegatë nga vilajeti i Kosovës, si dhe nga sanxhaku i Dibrës, Shkodrës dhe Elbasanit. Aty ishin gjithashtu disa përfaqësues nga krahinat e Jugut.
Kuvendi arriti të paralizonte qëndrimet e elementëve turkomanë, të cilët kishin depërtuar në radhët e pjesëmarrësve, dhe të neutralizonte lëkundjet e krahut të moderuar.
Kuvendi i Junikut, i parapriu momenteve më të rëndësishme kombëtare.
Në Kuvend u lidh besa dhe u vendos të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme kundër sundimit të huaj.
Krerët autonomistë, në kundërshtim me parinë turkomane të Kuvendit, shpallën këtu programin politik të kryengritjes, i cili u miratua nga Kuvendi dhe iu dorëzua qeverisë së Stambollit.
Programi përmbante këto kërkesa: njohjen e autonomisë së Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabetin kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit shqiptar në të gjithë vendin, emërimin e një stërnipi të familjeve “princore” shqiptare si guvernator të përgjithshëm dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave.
Vendimet e Kuvendit të Junikut i dhanë një shtytje të mëtejshme kryengritjes së përgjithshme shqiptare. Shkruan GazetaProjekti