Disa zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin shfaqur mospajtimet e tyre brenda partisë së Albin Kurtit dhe përfundimisht ishin larguar nga partia, por duke qëndruar në politikë përmes partisë së politikanes veterane, Kaqusha Jashari.
Partia Social Demokrate (PSD) ngërthen tashmë brenda vetes disa nga njerëzit kryesorë të cilët kontribuuan që Vetëvendosja të dalë partia e parë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.
Kryetari i ri i PSD-së, Shpend Ahmeti, kishte hyrë në politikë nga shoqëria civile përmes partisë Fryma e Re (FER), por kishte dështuar të merrte përkrahjen e nevojshme për të kaluar pragun e nevojshëm zgjedhor prej 5 për qind.
Kryetari i Prishtinës me mbështetësit e tij mund ta provojë sërish shijen e disfatës në zgjedhje dhe dështimin për të kaluar pragun.
Sipas një sondazhi të publikuar sot nga organizata joqeveritare ‘Instituti Demokratik i Kosovës’, PSD-ja e rinuar me figura të rëndësishme të VV-së nuk do të arrijë të kalojë as pragun zgjedhor, nëse zgjedhjet do të mbaheshin në një të ardhme të afërt.
Grafiku: KDI
Në pyetjen për kë do të votonit nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin të dielën e ardhshme, vetëm 2.4 % e respondentëve kanë zgjedhur PSD-në, rezultat ky i pamjaftueshëm për të kaluar pragun që garanton ulëse në Kuvendin e Kosovës.
I kontaktuar nga Gazeta Metro, zëdhënësi i Partisë Social Demokrate, Shkodran Hoti, nuk e ka komentuar këtë sondazh.
Ndërkaq, sondazhi i njëjtë i KDI-së i publikuar sot ka nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje me 21.2 %, rreth 10 % më pak se rezultati i zgjedhjeve të fundit.