970×90
970×90

S’lejohen në stadium, 50 tifozë nga Zvicra vijnë në Prishtinë për duelin me Maqedoninë

S’lejohen në stadium, 50 tifozë nga Zvicra vijnë në Prishtinë për duelin me Maqedoninë

Njoftimi për zhvillimin e ndeshjes mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Shkup pa praninë e tifozëve ua la në gjysmë rreth 50 tifozëve të Kosovës nga Zvicra planet për ta përcjellë këtë ndeshje nga afër. Megjithatë njëri ndër ta, Selver Shashivari, tregon se shpenzimet s’do t’u shkojnë kot dhe se ata do të vijnë për të festuar në Prishtinë.

Në memorien e Selver Shashivarit, tifoz nga Kosova që jeton që 35 vjet në Zvicër, ka mbetur ende momenti kur pati ofendime e sharje drejt lojtarëve të Kosovës në ndeshjen si mysafirë kundër Malit të Zi, në kuadër të Grupit A kualifikues për EURO 2020, shkruan Gazeta Express.

Shashivari kujton se, për dallim nga ai, kapiteni Amir Rrahmani s’i kishte kuptuar fillimisht ato ofendime, por edhe kur e kishte marrë vesh çfarë kishte ndodhur, s’kishte reaguar me zemërim, por kishte shkuar të fliste me gjyqtarin.

Pikërisht disiplina e lojtarëve të Kosovës është gjëja që Shashivarin e bën ta dojë më së shumti ekipin kombëtar të Dardanëve. Ai kishte shpresuar se do të mundë ta shikonte këtë ekip kombëtar duke i shkuar edhe më afër ëndrrës për kualifikim në EURO 2020 në gjysmëfinalen e play-offs kualifikues kundër Maqedonisë së Veriut.

“Ne jemi rreth 50 adhurues të Kombëtares së Kosovës dhe i kemi paguar biletat e aeroplanit nga 200 e 300 franga për të ardhur në Kosovë, për të shkuar në mënyrë të organizuar në Shkup për ndeshje. Ne planifikonim që menjëherë pastaj të shkonin në Bjellorusi ose Gjeorgji për finalen”, ka thënë Sashivari për Gazetën Express.

“Ne jemi të çmendur pas Kombëtares tonë, edhe pse nganjëherë ne po kemi vështirësi sa i përket biletave të aeroplanit. Jemi rreth 25 tifozë të rregullt në Gjenevë që e ndjekim Kosovën në çdo ndeshje – edhe kur luan si mysafire, edhe kur luan në shtëpi”.

Megjithatë, shkaku i përhapjes së koronavirusit nëpër Evropë, ndeshja është vendosur të zhvillohet pa praninë e tifozëve, ndërkohë që Federata e Futbollit e Maqedonisë ka kërkuar që ndeshja edhe të shtyhet.

“Ne do të jemi në Kosovë për ta festuar fitoren. Ne jemi të gatshëm të shkojnë edhe për finalen që do të luhet në Gjoergji ose Bjellorusi. Nuk ka hijeshi ndeshja pa tifozë, unë jam vetë gjyqtar dhe ndeshjet pa publik s’kanë kuptim. Por, unë e kuptoj vendimin shkaku i rrezikut”, shtoi Shashivari për Gazetën Express.

Paratë e shpenzuara për bileta të aeroplanit nuk do t’u kthehen dot këtij grupi të tifozëve, të cilët megjithatë do të nisen drejt Prishtinës për ta shikuar ndeshjen e 26 marsit në kryeqytetin e Kosovës, me shpresën se do të kenë arsye për të festuar.

Por, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka thënë në një prononcim për Gazetën Express se, ashtu siç është zakon në botë, tifozëve që kanë blerë bileta për ta parë ndeshjen në stadium pritet  t’u kthehen paratë. 

Related posts