970×90
970×90
970×90
970×90

Skadon afati i “Contour Global” ku kërkonte 20 milionë euro, Qeveria nuk tregon si veproi

Skadon afati i “Contour Global” ku kërkonte 20 milionë euro, Qeveria nuk tregon si veproi

Sipas njoftimi të “Contour Global”, arsye e tërheqjes është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen. Si arsye ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë. Por, më 24 maj kjo kompani i është drejtuar Qeverisë së Kosovës përmes një letre, ku i kërkon t’i paguajë obligimin prej mbi 20 milionë euro, shkruan lajmi.net.

Afati i vendosur nga kompania ndaj Qeverisë së Kosovës ka kaluar, ndërkohë nuk dihet nëse qeveria ka bërë këtë pagesë, apo si ka proceduar në këtë rast.

Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Financave për të mësuar nëse është ekzekutuar pagesa, por në këtë ministri kanë thënë se nuk janë përgjegjës për këtë projekt.

“Ministria e Financave nuk ka qenë bartëse e këtij projekti. Prandaj  ju lutem që për këtë çështje të kërkoni përgjigje në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik”, tha zëdhënësi i kësaj ministrie, Muharrem Shahini.

Ndërsa, koment nuk ka pasur as zyra kryeministrit. Pyetjet e dërguara nga lajmi.net në këtë institucion lidhur më këtë çështje janë adresuar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit. Por, ky institucion nuk i ka kthyer përgjigje kryeministrisë e as redaksisë së lajmi.net. Madje redaksia disa herë ka dërguar pyetje për këtë çështje në MEA, por kjo ministri është njëra prej institucioneve më jotransparente publike. Nuk ka dashur të përgjigjet as ministri Blerim Kuqi.

Megjithëkëtë, pas kërkesës së “Contour Global” drejtuar Qeverisë për kompensim, nëpërmjet një njoftimi për media një sqarim e kishte dhënë kabineti i ish kryeministrit, Albin Kurti.

Ministrja për çështjet e ekonomisë, Rozeta Hajdari kërkesën e Contour Global-it e konsideronte të pathemeltë dhe të padrejtë.

“MEPTINIS ka pranuar letrën e kompanisë “Contour Global” të 24 majit 2020. Jemi të befasuar dhe të zhgënjyer që Contour Global ka zgjedhur të njoftojë se synon shkëputjen e marrëveshjeve me Qeverinë dhe të parashtrojë kërkesën e pathemeltë dhe të padrejtë për kinse 20.053.125,63 euro shpenzime të zhvillimit të projektit.”

Ministrja thoshte se ka bërë gati një ekip, në mënyrë që t’i përgjigjen kërkesës për kompensim juridikisht.

“Znj. Hajdari [ministrja e Ekonomisë] është angazhuar gjithashtu për t’i siguruar komitetit mbështetjen e nevojshme për vendimmarrjen e duhur. Mbështetja do të përfshijë këshillat juridike nga një ekip i përgatitur dhe i dëshmuar.”

Deri më 31 mars 2020, shpenzimet e shkaktuara gjatë zhvillimit të projektit nga GenCo ishin 31.5 milionë euro. Shpenzimet ishin në linjë me buxhetin e kostos së zhvillimit të diskutuara me Qeverinë e Kosovës dhe të paraqitura më 21 mars 2019. Totali i shumës së kostos së zhvillimit i shpenzuar nga GenCo deri më sot tejkalonte shumën e 20 milionë euro.

Në fund të vitit 2017 kur në pushtet ishte Ramush Haradinaj, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshje me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e një termocentrali rreth 500 megavatësh, e njohur si “Kosova e Re”. Mbi dy vite pas, pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti, kompania amerikane u tërhoq nga projekti i cili synonte të zgjidhte njërin ndër problemet më të mëdha, energjinë në Kosovë.

Sipas njoftimit të “Contour Global”, arsye e tërheqjes ishte se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen dhe se arsye kryesore ka qenë edhe situata politike e krijuar në vend, e në veçanti, kundërshtimi i kryeministrit Albin Kurti për këtë marrëveshje në kohën sa ishte në opozitë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara. Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”, thuhej në njoftimin për medie të “Contour Global”. /

Related posts