Në tri komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku serbët po protestojnë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata kaloi e qetë.
Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave komunale.
Në Zveçan, një grup i vogël protestuesish qëndruan gjatë tërë natës afër objektit komunal.
Në këto momente situata e përgjithshme në këto komuna paraqitet e qetë. Ndërsa, numri i protestuesve është simbolik.
Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në veri. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave./KP