970×90
970×90

Si mbeti Komuna e Podujevës pa drejtorë brenda 24 orëve

Si mbeti Komuna e Podujevës pa drejtorë brenda 24 orëve

Në më pak se 24 orë, Komuna e Podujevës ka mbetur pa dy drejtorë. Njëri është shkarkuar mbrëmë, e tjetri ka dhënë dorëheqje sot. Shpejtim Bulliqi s’e ka thënë vetë asnjë fjalë deri tash, por vetëm janë lëshuar disa reagime në faqen zyrtare të komunës. Gazeta Online Reporteri.net ju sjell një përmbledhje për arsyet e shkarkimit/dorëheqjes se tyre dhe reagimet e Komunës.

Driton Veliu nuk do të jetë më në krye të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Podujevës. Ai ka dhënë dorëheqje sot nga kjo pozitë, për shkaqe personale dhe zhvillimeve të fundit politike në këtë komunë.

Vetë Veliu s’ka bërë ndonjë postim për këtë punë, por dorëheqjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

“Driton Veliu ka dhënë dorëheqje. Ai e ka dhënë një deklaratë për një televizion ka thënë për shkaqe personale dhe për shkak të zhvillimeve politike që kanë ndodh në komunën e Podujevës”, tha Zhitia sot për media.

Dorëheqja e tij vjen vetëm një ditë pas shkarkimit të Drejtorit të Inspekcionit në këtë komunë, Besnik Mulliqit.

Mulliqi ka fajësuar Kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqin, për shkarkimin e tij nga kjo pozitë, duke thënë se vendimi për shkarkim erdhi pas aksionit të djeshëm të rrënimeve në fshatin Orllan, tek zona e Liqenit të Batllavës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ai e quajti vendimin si skandaloz, derisa tha se ka pasur mospajtime të thella me Bulliqin.

“Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar! Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz”, shkroi Mulliqi.

Pas këtij postimi të tij, reagoi Komuna e Podujevës, duke thënë se shkarkimi i tij s’ka të bëjë me rrënimet në Orllan, por me mosefikasitetin e tij në punë.

“Njoftimi për lirimin nga detyra të drejtorit Mulliqi është bërë që nga data 20 e muajit të kaluar ndërsa lirimi i tij zyrtar nga detyra është bërë me datën 29.07.2022, dhe nuk ka të bëjë me rrënimet që kanë ndodhur sot në fshatin Orllan, siç po deklarohet para opinionit dhe mediave.

Mbi këtë bazë janë ndërmarrë edhe masa ndaj zyrtarëve komunal të inspeksionit për mos kryerje të detyrave zyrtare në ndalimin e ndërtimeve pa leje dhe ruajtjen e mjedisit në zonën e Orllanit”, thuhej në reagimin e Komunës.

Komuna ka reaguar sërish sot, meqë në disa media u përfol se do të ketë shkarkime të tjera.

“Duam të njoftojmë opinionin publik dhe mediat se drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu ka ofruar dorëheqjen e tij nga detyra e drejtorit. Ndërsa, lajmet tjera që po qarkullojnë në rrjete sociale për shkarkimin apo dorëheqjet e zyrtarëve të tjerë janë spekulime dhe të pavërteta”, thuhej në reagim.
Ndërkohë, kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, s’ka reaguar ende as për shkarkimin e Mulliqit e as për dorëheqjen e Veliut./Reporteri.net.

Related posts