970×90
970×90
970×90
970×90

Si i manipulon mediat Rusia. Katër strategjitë për të krijuar pështjellim në Perëndim

Si i manipulon mediat Rusia. Katër strategjitë për të krijuar pështjellim në Perëndim

Kriza që ka mbështjellë Perëndimin dhe Rusinë, në lidhje me përdorimin e armëve kimike në qytezën britanike të Salisburyt, mund të na tregojë shumë, për mënyrën se si administrat e Putinit po bëhet gjithnjë e më e aftë në manipulimin e mbulimit mediatik të ngjarjeve për të nxjerrë avantazheve, brenda dhe jashtë vendit.

Akuzat e forta kundër Moskës nga ana e qeverisë britanike në javët e fundit, duket se po ndihmojnë forcimin e pozicionit të Putinit në vendin e tij. Ciklet e hiperbolave dhe mosbesimit i bëjnë punë Putinit në Moskë. Deklaratat “kategorike” nga pjesëtarë të qeverisë britanike, që të paktën deri tani, nuk janë mbështetur prej provave të pakundërshtueshme, kanë ofruar më shumë municion për narrativën e Kremlinit.

Dhe pavarësisht se kanë një numër të ulët lexuesish të rregullt, operacionet mediatike ndërkombëtare të Rusisë po diskutojnë “histerinë antiruse” me detaje, me shpresën që të gjenerojnë mbështetje mes pjesëve të caktuara të publikut në Perëndim.

Demokracitë liberale bashkëkohore mbeten kryesisht të verbëra në lidhje me kompleksitetet e operacioneve mediatike të RUsisë – dhe kjo i lë të keqpërgatitura, për t’iu përgjigjur strategjive të manipulimit mediatik, të atyre që janë tashmë një numër në rritje regjimesh autoritare nëpër botë. Në një kontekst mediatik të globalizuar, ku spikat rënia e besimit tek media “tradicionale” dhe ka një shtim të konkurrencës prej mediave shumëplatformëshe, regjime të tilla po krijojnë mënyra të ndërlikuara, për të përdorur media të financuara prej shtetit, që të forcojnë legjitimitetin e tyre. Ja katër gjëra që duhet të dini në lidhje me manipulimin e mediave prej rusëve.

1. KJO ESHTE NJE PROPAGANDE NEOSOVJETIKE

Studiuesja e njohur amerikane e mediave, Sarah Oates e ka përshkruar sistemin e mediave të Rusisë si “neosovjetik”, influencuar më shumë nga propaganda e stilit sovjetik, se sa tendencat bashkëkohore politike dhe të komunikimit. Por ky është një thjeshtësim i tepruar, që nënvlerëson kapacitetet mediatike të Rusisë.

UDhëheqja ruse ndjeu nevojën për të kultivuar një strategji të re mediatike, në vijim të protestave masive kundër regjimit të Putinit në vitet 2011-2012. Censura e kufizuar e internetit në Rusi ka bërë që audiencat të kenë qasje në burime alternative të informacionit dhe pikëpamje të tjera – gjë që mediat e kontrolluara nga shteti janë të detyruara ta pranojnë, në një farë mënyre.

Çështjet me ndjeshmëri politike dhe kritikat ndaj regjimit po lejohen që të artikulohen brenda zhanrit më pak të shikuar të lajmeve “soft”, si për shembull seria e intervistave dhe debateve të transmetuara gjatë fushatës së fundit presidenciale në Rusi.

Sigurisht, audiencat dhe rregullatorët ndërkombëtarë presin lirinë e fjalës – por audiencat e brendshme e shohin gjithashtu si një indikator të besimit dhe legjitimitetit. Kanalet televizive shtetërore ruse mbeten burimet kryesore të informacionit për qytetarët rusë – dhe pavarësisht një rënie të besimit të shikuesve, pas mbulimit të anshëm që iu bë krizës në Ukrainë, pothuaj gjysma e shikuesve vendas ende e shohin televizionin si një burim të besueshëm informacioni.

2. PERMBAJTJA E POLITIZUAR, E RILINDUR SI ARGETIM

Studimi im – ende i pabotuar – sugjeron se, që nga zgjedhja e tretë presidenciale e Putinit në vitin 2012, ka patur një rritje dramatike të mesazheve politike në televizionin shtetëror rus. Sidomos programimi i lajmeve “soft” është rritur dukshëm. Ky format global mediatik përfshin shfaqje televizive dhe debate televizive – dhe është i njohur për aftësinë e tij që të angazhojë audienca të pavëmendshme politikisht, duke nxjerrë produkte me ngarkesë të fortë emocionale.

Shikuesit mund të mos kujtojnë detajet ekzakte të asaj që kanë parë dhe dëgjuar, por kujtojnë se si janë ndjerë në lidhje me to. Këto programe ofrojnë një format relativisht të sigurtë, për të vënë në skenë pluralitetin e mendimeve, që pret audienca.

Këto taktika u përdorën gjatë fushatës së fundit presidenciale në Rusi. Programet kryesore të lajmeve në televizione u dominuan prej mbulimit pozitiv të Putinit. Ndërkohë, në shfaqjet televizive dhe debate pati kritika të forta ndaj regjimit të tij – ashtu si edhe diskutime eksplicite mbi mashtrime elektorale, që kishin qarkulluar në Internet dhe në mediat sociale.

Por menaxhimi dhe inskenimi i këtyre debateve pati efektin që të neutralizonte kritikat ndaj Putinit. Sepse formatet e debateve kishin prirjen që të nxisnin konfliktin dhe shumë shpejt degjeneruan në sharje, fyerje, ndërprerje dhe madje abuzime fizike. Pjesëmarrësit u dukën keq – duke diskredituar veten dhe njëri-tjetrin. Vetëm Putini, që nuk mori pjesë, doli i paprekur. Po kështu, kur rrjeti ndërkombëtar televiziv shtetëror i Rusisë, RT (ish Russia Today) transmetoi një intervistë të pacensuruar në anglisht me kandidaten e opozitës liberale, Ksenia Sobchak, mënyra e saj luftarake e të folurit ia dëmtoi besueshmërinë. Kjo e dobësoi shumë impaktin e sulmit të saj ndaj regjimit të Putinit.

3. KONSPIRACIONI ESHTE MBRET

Konsumatorët globalë të mediave tregojnë shumë interes në ngjarjet dramatike dhe temat që gjenerojnë shqetësim për publikun, si migrimi dhe terrorizmi. Shumë prej tyre janë gjithashtu të tërhequr nga teoritë konspirative, që duket se vendosin rregull mbi kaosin e realitetit.

Raportimi për helmimin e Skripalit ofron një ilustrim të mirë të mënyrës se si mediat e Rusisë e orientojnë mbulimin politik, për të plotësuar kërkesat e tyre. Mediat e financuara nga shteti nuk kanë kundërgoditur me provat rrethanore që kanë paraqitur britanikët për të inkriminuar RUsinë.

Televizionet e brendshme dhe RT u kanë ofruar shikuesve teori konspirative në lidhje me helmimin. Për shembull, vendimi për të ri-hetuar vdekjet e dyshimta të 14 ish nënshtetasve rusë në Mbretërinë e Bashkuar, për përfshirje të mundshme të Rusisë, u raportua edhe në Rusi. Mbulimi i tyre ofronte edhe diskutime të zgjeruara mbi përfshirje të mundshme të shërbimeve sekrete britanike.

4. GRURE PER MULLIRIN E RUSISE

Deklaratat e dyshimta të bëra nga Sekretarët e Jashtëm dhe të Brendshëm të Mbretërisë së Bashkuar i kanë dhënë medias ruse një mjet të dobishëm për të diskredituar pozicionin e britanikëve. RT mbuloi gjerësisht reagimet negative nga politikanë të tjerë dhe përdoruesit në mediat sociale ndaj këtyre deklaratave, ndërkohë që mediat e brendshme të Rusisë iu referuan si prova të armiqësisë së pafre të Perëndimit.

Po bëhet gjithmonë e më e qartë se regjimi neo-autoritar në Rusi po shfrytëzon tendencat globale të mediave, si dhe po i përshtat sipas kushteve të veta. Se sa efikase janë mediat shtetërore ruse në formësimin e perceptimit të opinionit publik brenda dhe jashtë vendit, kjo kërkon studim të mëtejshëm. Por është tashmë e qartë se qasjet tradicionale ndaj analizimit të censurës dhe propagandës, nuk mund të na ndihmojnë që të kuptojmë strategjinë mediatike të Kremlinit – realiteti është shumë më kompleks.

Vera Tolz është Profesore e Studimeve Ruse në Universitetin e Mançesterit

Precious N Chatterje-Doody, studiuese në Universitetin e Mançesterit

THE CONVERSATION

Related posts