
Dikur Angela Merkel e përshkroi Vladimir Putin-in si një udhëheqës që përdor metodat e shekullit të 19-të në shekullin e 21-të.
Ajo që nënkuptonte ish-kancelarja gjermane ishte se udhëheqësi i Rusisë është një njeri i luftës dhe nacionalizmit, në një epokë që supozohet se është përcaktuar nga ligjet dhe globalizimi.
Merkel ka folur për Putin-in, pasi Rusia aneksoi Crimea-n në 2014-ën.
Tani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe (BM) kanë paralajmëruar se Putini është gati të nisë “luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945”.
Sipas tyre, fillimisht do të pushtojë Ukrainën, përfshirë një sulm të drejtpërdrejtë në kryeqytetin e saj, Kiev.
Këtë fundjavë, pjesa më e madhe e elitës së Sigurisë dhe politikës Perëndimore u mblodh në Mynih të Gjermanisë, për Konferencën e Sigurisë. Krahas tensionit dhe parandjenjës, emocioni që mbizotëronte më së shumti ishte “mosbesimi”.
Shumë diplomatë dhe politikanë, kryesisht evropianë, nuk duan t’i besojnë njoftimet e bazuara në Autoritetet e Inteligjencës që vijnë nga anglosfera.
Skeptikët mendojnë se luftimet do të mbeten të kufizuara në Ukrainën Lindore. Ata spekulojnë se qëllimi i Putin-it është të ushtrojë presion politik, ekonomik dhe psikologjik, deri në pikën kur qeveria ukrainase të rrëzohet ose Perëndimi të bëjë lehtësime masive në diplomatikë.
Ekziston një lloj tjetër mosbesimi mes atyre që thonë se Putin-i është gati të “përparojë” dhe të nisë një pushtim të përgjakshëm, që synon përmbysjen e qeverisë ukrainase.
Një politikëbërës i lartë, gjatë një bisede me homologun e tij amerikan për luftën e afërt, deklaroi se e kanë ndërprerë bisedën, duke thënë se “nuk mund ta besoj se po e bëjmë këtë bisedë”.
Ato biseda përmbajnë vërtet skenarë befasues dhe shqetësues. Zyrtarët perëndimorë besojnë se, nëse ushtria ruse sulmon ose rrethon Kievin, ka të ngjarë që të përdorin taktikat brutale që Putin-i ka vendosur në Çeçeni dhe Siri.
Kjo nënkupton vendosje masive të artilerisë dhe fuqisë ajrore – dhe mundësinë e më shumë se 50 mijë vdekjeve ushtarake dhe civile në vetëm brenda një jave.
Si arritëm këtu?
Ka përgjigje afatshkurtra dhe afatgjata për këtë pyetje.
Sa i përket asaj afatshkurtër, Shtëpia e Bardhë ka qenë e bindur se lufta mund të ndodhte që para Krishtlindjeve. Që atëherë, përpjekjet e administratës Biden janë drejtuar drejt përpjekjes për të devijuar Putin-in, duke e bërë të qartë se ai do të paguajë një çmim të rëndë ekonomik dhe diplomatik për luftën. Amerikanët ishin gjithmonë pesimistë për shanset e tyre për sukses, por ishin të vendosur ta provonin.
Qeveritë e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe besojnë se vendimi për sulm është marrë javën e kaluar.
Ata kanë shqyrtuar mundësinë se rusët kanë hedhur informacion të rremë të Inteligjencës, si fushatë presioni psikologjik.
Por vëllimi i madh i përgatitjes që ata po shohin dhe dëgjojnë i ka bindur për të kundërtën. Vendimi për të shkuar në luftë duhet të shpërndahet në të gjithë sistemin rus. Nuk mund të fshihet.
Gjithashtu po monitorohen diskutimet mes trupave ruse që supozojnë se janë drejt një beteje.
Besimi se lufta është afër, përforcohet nga ngjarjet që po zhvillohen më tej.
Si ato të rritjes së luftimeve në Ukrainën Lindore, rritjes së sulmeve kibernetike, njoftimit se trupat ruse do të qëndrojnë në Bjellorusi dhe lajmi se Rusia po organizon stërvitje me armë bërthamore, të dizajnuara për të frikësuar kundërshtarët e saj.
Siç më tha një zyrtar i lartë evropian “është si të shohësh një skenar filmi të interpretuar në çdo detaj”.
Përpjekjet për të parandaluar luftën vazhdojnë ende. Por amerikanët besojnë se tani janë në fazën e përpjekjes për ta detyruar Putinin të ndryshojë një vendim që tashmë është marrë.
Sa i përket asaj afatgjatë, sesi arritëm këtu, shkon prapa në konferencën e Mynihut të 2007-s. Pikërisht aty Putin mbajti një fjalim “të ashpër”, duke denoncuar rendin e pasluftës së ftohtë dhe përdorimin e fuqisë amerikane në Irak dhe në mbarë botën.
Një vit më pas, Rusia hyri në luftë në Gjeorgjinë fqinje.
Në vitin 2014, ndodhi sulmi i parë në Ukrainë dhe aneksimi i Crimea-s.
Udhëheqësit perëndimorë kërcënuan Rusinë me atë që Merkel e quajti “dëm masiv në ekonomi dhe politikë”.
Por Rusia i përballoi sanksionet dhe deri në vitin 2018 po organizonte një Kupë Botërore të suksesshme, e cila përfundoi me pritjen e presidentëve të dy vendeve të BE-së, Francës dhe Kroacisë, në zonën VIP, nga Putin-i.
Nëse ai është i gatshëm të shmangë kërcënimet e sanksioneve perëndimore, mund të jetë sepse ai i ka dëgjuar të gjitha më parë, fjalë për fjalë.
Megjithatë, një sulm në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës do të përfaqësonte një përshkallëzim masiv në gatishmërinë e tij për të përdorur forcën dhe për të pranuar konfrontimin me Perëndimin.
Pas më shumë se 20 vitesh në pushtet, në moshën 69-vjeçare, tani ai mund të jetë në biznesin e trashëgimisë.
Ai ka shprehur një dëshirë të thellë për të “ribashkuar” Russkiy Mir, ose botën ruse, e cila, siç e sheh ai, tani është e ndarë.
Rikthimi i Ukrainës në “orbitën” e Moskës mund të shihet si përfundimi i një detyre historike.
Nëse ai me të vërtetë mendon si një figurë e shekullit të 19-të, Putini do të besojë se gjakderdhja masive është e justifikuar për të bashkuar kombin.
Në fund të fundit, ushtria e Abraham Lincoln-it dogji Atlantën në 1864 për të ruajtur unitetin amerikan.
Otto von Bismarck bëri tri luftëra për të bashkuar Gjermaninë – dhe është ende subjekt i biografive admiruese.
Megjithatë, shumë analistë, përfshirë liberalët rusë, besojnë se Putini është i mashtruar në mënyrë të rrezikshme nëse beson se këto lloj luftërash janë ende të mundshme në Evropë. Sot, çdo mizori e kryer nga forcat ruse do të regjistrohet në smartphon-in e dikujt dhe do të transmetohet në mbarë botën.
Të rinjtë e Rusisë gëzojnë të njëjtat liri teknologjike dhe sociale si bashkëkohësit e tyre në Evropën Perëndimore.
A do t’i pranojnë ata vërtet rreziqet, privimet dhe përçmimet morale që Putini mund të rrëzojë?
A mundet ai, me pak fjalë, të vazhdojë të përdorë metodat e shekullit të 19-të në shekullin e 21-të? Ndoshta ka ardhur koha ta zbulojmë.