
“Shteti i udhëhequr nga Albin Kurti ka rënë në çdo drejtim”, ka shkruar në një reagim Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas vrasjes makabre të gruas shtatëzënë e cila edhe kishte urdhër mbrojtje nga gjykata.
“Po të donte rend e ligj, nuk do ta linte shtetin pa Kryeprokuror tash e një vit e nuk do t’ia zbriste pagat gjithë sistemit të drejtësisë, për të shkaktuar kaos aty. Një sistem i tërë drejtësie është në greve; mbi 500 lëndë në ditë shtyhen si pasojë e kësaj përplasjeje të panevojshme”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se nëse kryeministri dëshiron të përgjegjësi, ai në rend të parë “le të merret me ministrin e Brendshëm të tij dhe gjithë zinxhirin komandues, të cilin vetë e ka caktuar ai – nga Drejtori i Policisë e poshtë”.
Mes tjerash, reagimet e Kurtit, ai tha se janë “si të një analisti e të një opozitari” dhe se Kryeministri “ende nuk e kupton që është udhëheqës i shtetit”.
“Nëse do shërbime më të mira spitalore – dhe siguri brenda spitaleve tona – të mos presë mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë. Të tretin në më pak se dy vite qeveri”, shkroi Abdixhiku.