970×90
970×90

Shteti i alarmon francezët: Mos pini më shumë se dy gota verë

Shteti i alarmon francezët: Mos pini më shumë se dy gota verë

Në një fushatë të nisur nga zyrtarë francezë të shëndetësisë këtë javë, kërkohet të bindet publiku që të pijë jo më shumë se dy gota të verës në ditë, dhe jo të pihet çdo ditë.

Sipas Sante Publique France, thuajse një çerek i francezëve pinë alkool të tepërt rregullisht, dhe ky nivel i pirjes së alkoolit po i vret 41.000 njerëz në vit, duke e bërë verën e tepërt shkaktarin e dytë të vdekjeve që mund të evitohen pas vdekjeve nga duhani, shkruan The Guardian.

Viet Nguyen-Thanh, kreu i Sante Publique France, thotë: “Janë diku 10.5 milion të rritur që pinë shumë alkool. Në këtë mënyrë ata pinë në proporcione që e rrisin rrezikun e shëndetit të tyre duke rritur rrezikun nga kanceri, tensioni i lartë i gjakut, hemorragji cerebrale, dhe sëmundje kardiovaskulare”.

Jerome Villaret, delegues gjeneral i Languedoc AC, që prodhon verëra, kritikoi fushatën. “Ky lloj publiciteti shqetëson konsumatorin e zakonshëm, për ne ky lloj i studimeve vetëm sa i bën konsumatorët të ndihen fajtorë për atë që bëjnë”.

Francezët kanë një histori të komplikuar me verën, dhe e konsiderojnë pjesë integrale të kulturës së tyre nacionale, përcjell Gazeta Express.

Një fushatë e viteve të 50-ta të shekullit të kaluar këshilloi publikun e gjerë të pinë më pak se një litër alkool për një shujtë. 

Deri në vitin 1956, shkollat i shërbenin gjysmë litër verë apo birrë nxënësve ndër 14 vjet. Alkooli u ndalua nëpër shkolla në vitin 1981.

Nugyen-Thahn shtoi: “Vera është pjesë e historisë së Francës, fakti që Franca është një prodhues i verës ka luajtur një rol të madh kur vjen puna tek francezët dhe lidhja e tyre më verën”.

Për disa, vera nuk është as alkool. Ministri i Agrikulturës, Didier Guillaume, tha kështu në një deklaratë së fundi: “Vera nuk është si alkoolet tjera”.

Duke pranuar që pirja deri në dehje tek francezët e rinj është një problem i vërtetë, ai shtoi: “Unë nuk kam parë kurrë, me dijeninë time… një të ri duke dalë nga një klub nate pasi që ata pinë shumë Cotes-du-Rhone, Crozes-Hermitage apo Costieres-de-Nimes (verëra të njohura franceze)”. 

Ministrja e Shëndetësisë, Agnes Buzyn, u përgjigj në mënyrë të prerë: “Molekula e alkoolit në verëra është e njëjtë me ato që gjenden në pije tjera alkoolike”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tregon me statistika që francezët janë larg nga pirësit më të mëdhenj të alkoolit në Evropë.

Francezi mestar mbi 15-vjeçar konsumon në vit 12.6 litra të alkoolit të pastër. Para tyre janë lituanezët, me 15 litra, gjermanët me 13.4 litra , irlandezët dhe luksemburgasit me nga 13 litra, dhe letonët me 12.9 litra. 

Vera përfaqëson 58% të alkoolit të konsumuar në Francë.

Sante Publique France këshillon një maksimum të 10 gotave të alkoolit, duke përfshirë verën, brenda javës. SPF nuk ka specifikuar madhësinë e gotës. /Express/

Related posts