Eva Dyrnjaja, që jeton në Vjenë gjatë një lidhje për Euronews Albania foli për sulmin në armë në kryeqytetin e Austrisë, ku deri tani raportohet për 6 të vdekur. Znj. Dyrnjaja tha se, vetëm 30 minuta para ngjarjes ka kaluar në qendër të Vjenës ku edhe ndodhi sulmi me armë. Ajo thotë se, ende nuk është e qartë nëse sulmi ka të bëjë me sinagogën.
“Jam shumë e prekur pasi vetëm 30 minuta më parë, isha në qendër të Vjenës ku ndodhi ngjarja. Numri i viktimave ka arritur në gjashtë mes tyre dhe një polic. Deri tani flitet për tre autorë, një prej të cilëve është vrarë. Policia është shumë e rezervuar në dhënien e informacionit”, u shpreh shqiptarja.
Sulmi ka ndodhur rreth orës 20:00 dhe sipas policisë ka ndodhur njëkohësisht në disa vendndodhje të ndryshme dhe gjithçka ka ndodhur një ditë para se të niste bllokimi i dytë për shkak të COVID-19.
“Policia ka bërë thirrje që njerëzit të qëndrojnë nëpër shtëpia ndërsa ata që gjenden në vende të hapura të mos lëvizin. Nuk është ende e sigurt, nëse sulmi lidhet me sinagogën pasi ka qenë mbyllur dhe ka masa sigurie të larta. Kishte kohë që ishte e mbyllur dhe nuk mendohet se ka një lidhje me sinagogën”, tha znj. Dyrnjaja