FIFA ka vendosur të dënojë me 25 mijë franga Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën dhe Stephan Lichtsteiner, për festën e tyre në fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë.
Por, për pagesën e këtij dënimi tre yjet e Zvicrës dhe federata e futbollit të këtij vendi po ndihmohen edhe nga shqiptarët.
Disa shqiptarë në Amerikë kanë hapur një kampanjë online për mbledhjen e shumës së nevojshme për të paguar gjobën e vendosur nga FIFA.
Në kampanjën e hapur në GoFoundMe deri më tani janë mbledhur më shumë se gjashtë mijë dollarë, në më pak se dy orë.
Nëse Federata e Futbollit të Zvicrës i refuzon këto mjete për pagesën e gjobës së vendosur nga FIFA, ato do të dedikohen në shkollat e futbollit në Kosovë, shkruan lajmi.net
Këtë e ka konfirmuar trajneri Ismet Munishi në emisionin sportiv ‘Dueli Botëror’, i cili edhe është kontaktuar nga këta djem.
“Disa miq në Amerikë kanë hapur fondacion dhe po mbledhin para për t’iu paguar kartonin. Është GoFoundMe. Me pyetën se a bën dhe ju thash po, dhe nëse këto para nuk i pranon Federata e Zvicrës e cila ka para për t’i paguar, këto mjete do të shkojnë për shkollat e futbollit në Kosovë”, ka deklaruar Ismet Munishi.
“Do të shkojnë për shkolla të futbollit që do t’iu blihen pajisje, topa dhe ndresa”, ka shtuar ai.