Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit me një letër të hapur ka akuzuar përfaqësuesen parlamentare të pakicës shqiptare, Ermina Lekaj-Prljaskaj, se po vazhdon të krijojë përçarje brenda komunitetit shqiptar.
Në reagimin e tyre, ata thonë se mes të rinjve dhe të rejave shqiptare në Kroaci, ka shumë prej tyre që dëshirojnë të kenë mundësinë të shkojnë në Parlament dhe të njihen me punën e një përfaqësuesi të zgjedhur nga populli, si dhe punën e përgjithshme të Kuvendit, por të njëjtit thonë se deputetja Prljaskaj foton të rinjtë në evente zyrtare vetëm bazuar në lidhjet e saj familjare dhe të miqësisë.
Më poshtë reagimi i plotë:
Na vjen shumë keq dhe jemi të shqetësuar që deputetja Ermina Lekaj Prljaskaj vazhdon të krijojë përçarje, sidomos kur bëhet fjalë për përçarje mes të rinjve.
Përfaqësuesja Lekaj Prljaskaj më 18.12.2023. organizoi, siç tha ajo, vizitën tradicionale të të rinjve shqiptarë në Kuvendin e Kroacisë. Mirëpo, në këtë pritje ishin të ftuar vetëm të rinjtë që kanë lidhje familjare apo miqësie me deputeten Lekaj Prljaskaj, gjë që na trishton jashtëzakonisht shumë.
Ka shumë të rinj shqiptarë në Kroaci që dëshirojnë të kenë mundësinë të vijnë në Parlament dhe të njihen me punën e një deputeti, si dhe punën e institucionit më të lartë në vend.
Përveç kësaj, znj. Lekaj Prljaskaj më 16.12.2023. konfirmoi ardhjen e saj në Mbrëmjen e Muzikës Rinore në Hotel Antunoviq, ku, për fat të keq, nuk u paraqit dhe nuk u dha mbështetje të gjithë të rinjve, veçanërisht Këshillit të Shqiptarëve të Qytetit të Zagrebit, që është Këshilli më i ri në Kroaci për sa i përket viteve, duke përfshirë të gjitha minoritetet.
Shpresojmë që në të ardhmen deputetja të zgjerojë rrethin e njerëzve që fton dhe ngjarje të tilla të mos reduktohen në lidhje familjare dhe miqësi