970×90
970×90

Shqipëria merr fitore madhështore ndaj Polonisë dhe bën hap gjigant drejt Euro 2024

Shqipëria merr fitore madhështore ndaj Polonisë dhe bën hap gjigant drejt Euro 2024

Nuk ka shqiptar që nuk e ëndërronte këtë fitore dhe ajo erdhi në Tiranë. Shqipëria ka mposhtur Poloninë 2-0 në ndeshjen e saj më të rëndësishme në shtatë vitet e fundit, duke bërë një hap gjigant drejt kualifikimit për Euro 2024.

Një ndeshje e fortë nga të dy skuadrat, sidomos në minuta e para, ku të dy skuadrat luftuan për çdo top.

Fillimisht shënuan polakët në minutën e 24-të me mbrojtësin Jakub Kiwior.

Ai u gjend mirë në zonë për të tundur rrjetën e Thomas Strakoshës. Por rasti u rishikua në VAR dhe Kiwior ishte në pozitë jashtë lojë.

Shqipëria pas këtij momenti filloi të luajë më mirë dhe të krijojë më shumë.

Zhvillohej minuta e 37-të, kur Jasir Asani merr një top nga e djathta dhe me një gjuajtje të fuqishme shënoi për 1-0.

Pas golit Shqipëria mirë menaxhoi lojën edhe pse ishin edhe tetë minuta lojë shtesë, por që pjesa e parë i takoi kuqezinjve me rezultat minimal 1-0.

Edhe në pjesën e dytë vazhdoi loja e mirë e Shqipërisë, e sigurt në fazën defensive dhe jashtëzakonisht cinike në ofensivë.

Trajneri Sylvinho bëri ndryshime dhe ato ishin mjaftë të qëlluara, duke inkuadruar Mirlind Dakun e Taulant Seferin në vend të Sokol Cikalleshit dhe Myrto Uzunit.

Pikërisht sulmuesit gjilanas, Mirlind Daku në topin e parë të prekur realizoi gol pas një asistimi nga Ylber Ramadani. Për Dakun ishte goli i parë me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen e tij të dytë.

Deri në fund të ndeshjes, kuqezinjtë u mbrojtën fort dhe polakët nuk arritën në asnjë moment t’i rrezikonin duke u treguar si një përfaqësuese modeste karshi mbrojtjes gjigante të Shqipërisë në krye me kapitenin Berat Gjimshiti.

Një fitore e madhe, e shumë kërkuar me shumë sakrifica dhe që tre pikët erdhën në momentin e duhur.

Me këtë fitore kuqezinjtë shkojnë në pozitën e parë në Grupin E me 10 pikë të tubuara, dy më shumë se Republika Çeke e Moldavia dhe katër më shumë se Polonia që ishte favoriti kroryes për ta fituar grupin.

Related posts