
Që prej fillimit të fushatës së vaksinimit, Shqipëria ka administruar doza për 324 mijë e 840 qytetarë.
Shifrat i ka bërë të ditura ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, me anë të një postimi në Twitter.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 10 mijë e 218 vaksinime.
Nga sot ndërkaq, nis edhe vaksinimi i operatorëve turistikë. Mbi 2 mijë, do të marrin dozat gjatë fazës së parë të implementimit.
Ndër fashat e tjera që do të fillojnë procesin, janë edhe punonjësit e fabrikave të mëdha dhe punonjësit e transportit urban dhe ndër urban.
Këtë fakt e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në një qendër vaksinimi në Durrës.
Për bluzat e bardha, fushata ka përfunduar. Ndërkohë mbi 200 mijë të moshuar mbi 65 vjeç kanë marrë tashmë dozat e para.
Vaksinimi vazhdon për arsimtarët, ndërsa për policët është drejt fundit marrja e dozave të para.
Fushata është shtrirë edhe tek të sëmurët kronikë, ata me dializë apo sëmundje të tjera të rënda.
Gazetarët e terrenit janë vaksinuar gjithashtu.
Katër dozat e përdorura në Shqipëri janë ato Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.
Mbi 40 mijë doza të vaksinës britanike erdhën sot në Shqipëri. Mbi 50 mijë të tjera pritet të mbërrijnë ditën e nesërme. Vetë kryeministri pati paralajmëruar ardhjen e mbi 90 mijë dozave gjatë kësaj fundjave.
Vaksinat kineze dhe ato britanike, përbëjnë përqindjen më të lartë të dozave në Shqipëri.