970×90
970×90

“Shpëtojeni popullin tim – nuk jam tradhtar”: prapaskenat e mbërritjes së Rugovës në Itali, hezitimi britanik dhe kërkesat amerikane

“Shpëtojeni popullin tim – nuk jam tradhtar”: prapaskenat e mbërritjes së Rugovës në Itali, hezitimi britanik dhe kërkesat amerikane

Ishte 5 maji i 1999-ës data kur presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, kishte aderuar në tokën italiane nga Beogradi, vend në të cilin po mbahej peng nga regjimi i Millosheviçit. Udhëtimi ishte vëzhguar nga gjenerali Dino Tricarico nga kulla mbikëqyrëse e kazermës ushtarake të NATO-s në qytetin verilindor të Vicenza. Por, si rrodhën gjërat? Si u përshkruan prapaskenat e atyre ditëve në mediat e vendit që i ofruan mikpritje, gjegjësisht ato italiane, rreth qëndrimeve amerikane, britanike dhe detaje të tjera – të cilat do t’jua sjellim në vazhdim.

Kur vendosa t’ia dedikoj një hapësirë të madhe kohore rikuperimit të materialeve gazetareske arkivore për kohën kur presidenti Rugova kishte shkuar në Itali, vërejta menjëherë një jehonë dhe koncentrim të madh që ia kishte kushtuar shtypi italian ngjarjes në fjalë dhe vetë atij si lider politik. Rugova zinte hapësirë jo vetëm në ballinat respektive, por edhe në numra të tërë të faqeve të para. Prapaskenat e mediave më të besueshme italiane ishin shumë intriguese dhe në vazhdim do t’i bëj publike, pa shtrembëruar ose devijuar citatet e tyre.

Mbërritja e Rugovës në Romë 

Po vinte një telefonatë nga Beogradi. Ish-ambasadori i Italisë në Beograd, Riccardo Sesso, e kishte paralajmëruar zyrën e ministrisë së jashtme në mesditën e 4 majit. Ishte telefonatë nga Millosheviçi. “Zoti Rugova është një njeri i lirë. Ka kërkuar që të vijë në Romë dhe ju që prej kohësh na keni kërkuar që t’ia garantojmë lirinë e lëvizjes. Nëse e pranoni në Itali, ejani ta merrni!”, i kishte thënë Millosheviçi ministrit Dini, në bazë të bisedave të siguruara nga shtypi italian.

Redaksia e gazetës La Repubblica e kishte pyetur ambasadorin italian në Beograd, Riccardo Sessa, me një ton dyshues, duke ngritur mëdyshje: “A nuk është vallë e çuditshme se si ka telefonuar vetë personalisht Millosheviçi?”

Ambasadori italian i ishte përgjigjur redaksisë së gazetës kësisoj: “Në jetë asgjë nuk është e çuditshme, e aq më pak në vendet ballkanike.” 
Të nesërmen ishte dita e kthesës. Ishte data 5 maj. Ora shënonte 17:00. Ishte mesditë e vonë. Lideri paqësor kosovar, siç identifikohej anekënd, Ibrahim Rugova, mbërrinte në Itali, gjegjësisht në aeroportin e Ciampino, i dyti për nga rëndësia i qytetit të Romës.

 

<b></b> Përshtypjet e para për Memlin dhe Lumirin si liderë

Opinion / Përshtypjet e para për Memlin dhe Lumirin si liderë

Njëmbëdhjetë ishte numri i familjarëve dhe bashkëpunëtorëve që kishin udhëtuar me të. Në përshkrimin e shtypit italian, ai mbërrinte me një aeroplan të shërbimit sekret. Një mori trupash ushtarake të specializuara për gjendje të jashtëzakonshme, i kishin dalë në pritje, për t’ia garantuar sigurinë. Edhe një trafik makinash të blinduara e prisnin me të aderuar në tokën romake.

 

Takimin e presidentit Rugova me ish-funksionarët e qeverisë italiane, kryeministrin Massimo D’Alema dhe ministrin e jashtëm Lamberto Dini, arkivi i shtypit italian e përshkruan të gjatë, dramatik, si dhe zbulon disa të pathëna që nuk janë dëgjuar më herët, për të cilat nuk mund të garantohet vërtetësia, veçse kemi të bëjmë me burimet e tyre të asokohshme.
Në një ditë të nxehtë niste dita e dytë e vizitës së tij në Itali, me një mori njerëzish që e prisnin, mes tyre edhe turistë aziatikë, duke i kërkuar autografe. Italia ua kishte vënë në gatishmëri shtatë zyrtarë, në mënyrë që të siguroheshin të gjitha nevojat elementare për familjen Rugova.

Presidenti Rugova me të zbarkuar në Itali, u kishte treguar mikpritësve së tij atë çfarë kishte ndërmend t’i thoshte botës: “Shpëtojeni popullin tim!
Bëjeni këtë gjë të mundur duke ndërhyrë në Kosovë një forcë ushtarake ndërkombëtare. Arrini me Millosheviçin një ujdi politike, por mos e pranoni armëpushimin deri kur nga Beogradi nuk do të vijnë shenja të qarta”, mësonte La Repubblica nga burimet e saj.

 

Kostumi i tij kishte qenë ndër tiparet e para që u kishte rënë në sy italianëve. Luigi Manconi, ish-zyrtar i lartë i partisë së gjelbër, e kishte ndaluar për t’ia bërë një pyetje në publik me plot seriozitet, siç thoshte Corriere Della Sera, “në emër të gjithë popullit italian”. Ajo ishte kjo: “president, po atë shall pse e vendosni gjithmonë mbi kravatat tuaja?”

“Ka të bëjë me një zakon të vjetër të kohërave kur kam qenë në Paris. Një traditë!”, do t’ia shpjegonte Rugova me një frëngjishte të rrjedhshme.

Gazetarët që ishin në terren i kishin gozhduar me pyetje kritike të pranishmit, në veçanti krerët e ekzekutivit, për shkak të pjesëmarrjes së shtetit italian në bombardimet në Serbi.

“Situata në Kosovë është tragjike. Unë jam një njeri për paqe, për rezistencë jo të dhunshme. Nuk jam tradhtar!
Faleminderit për mikpritjen D’Alemas, mikut Dini, si dhe Vincenzo Paglias, udhëheqësit të komunitetit katolik të Sant’Egidio.

“Edhe UÇK-ja kërkon një zgjidhje paqësore”, thoshte mes tjerash Rugova, në përpjekje për ta mbrojtur guerilën e Kosovës nga pyetjet e vazhdueshme, që për retorikën politike të asokohshme italiane, ishin të sikletshme për udhëheqësit qeveritarë, pasi përkrahja në publik për t’iu bashkuar bombardimeve ndaj Serbisë kishte rënë në 1/3-ën e popullsisë në bazë të gjetjeve të mia nga raportimet e atëhershme.
La Repubblica, atë ditë shkruante rreth rrëfimit të Rugovës në bisedë me udhëheqësit italianë, ku mes tjerash u kishte treguar atyre rreth vuajtjeve të popullit të tij: “Gjatë udhëtimit tim nga Prishtina në Beograd kam parë shtëpitë e shkatërruara dhe të djegura. Një vend i bërë hi!”, shtonte Rugova, në bazë të informatave të brendshme të medias në fjalë.

Kundërshtimi britanik dhe kërkesat amerikane

Massimo D’Alema ishte në krye të qeverisë italiane për 427 ditë, respektivisht nga 21 tetori 1998, deri më 22 dhjetor 1999. Mirëpo, ai ishte protagonist në shumë rrethana që kishin të bënin me Kosovën, në një kohë kur situata në vendin tonë e kishte dobësuar atë politikisht brenda vendit të tij, pasi nuk gjente koncenzusin e mjaftueshëm në senat, parlament dhe ekzekutiv për të vazhduar tutje.

Në njërën prej intervistave të tij, të dhënë në vitin 2009 për gazetarin Stefano Cappellini, ai tregon prapaskenat diplomatike të marrjes së Rugovës në Beograd, në relacion me qëndrimet britanike dhe amerikane.

“Kryevepra jonë e vërtetë ka qenë operacioni i shpëtimit të liderit kosovar Ibrahim Rugova, i cili substancialisht ishte peng i serbëve. E pyetëm Millosheviçin: ‘cili është interesi juaj: pas luftës pushteti të udhëhiqet nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, apo nga një njeri i moderuar si Rugova, i cili është njeri i bashkëjetesës ndër etniko-religjioze?’

“Britanikët ishin kundër lirimit të Rugovës. Theksonin që nuk vlente asgjë dhe që ishte një njeri i së kaluarës. Pastaj, shtonin që kishim të bënim me mashtrimet e radhës të italianëve”, theksonte Massimo D’Alema në intervistën në fjalë.

I pyetur rreth SHBA-ve, D’Alema deklaronte: “Clinton ishte i brengosur, sepse mendonte që Millosheviçi do ta lironte për t’i bërë dëm NATO-s. Ndërkaq, Rugova erdhi në Romë dhe falënderoi NATO-n për atë çfarë ishte duke bërë për popullin e tij. Isha në vizitë te mjeku, kur Clinton në një moment të dytë më telefonoi për të më falënderuar. ‘Operacion i mirë, i udhëhequr me një besnikëri të madhe’, më tha. Amerikanët nuk kanë problem të bashkëpunojnë me ata që nuk pajtohen, vetëm se nuk i tolerojnë gjithë ata që mundohen t’i mashtrojnë. Janë moralistë në këtë aspekt. Gjithsesi, pas mbarimit të luftës Rugova fitoi zgjedhjet me 55% të votave”, nënvizonte D’Alema.

Në lidhje me këto ngjarje mbrapa kuintave kishte raportuar edhe Corriere Della Sera, me të mbërritur Rugova në Romë. Madje, në shkrimet e gazetës thuhej se SHBA-të ishin njoftuar nga autoritetet italiane se do të udhëtonin drejt Beogradit për ta marrë Rugovën. Albright kishte dhënë miratimin e saj, por parakushti i amerikanëve sipas të përditshmes italiane kishte qenë ai që Rugova të mos sillej vërdallë për të kërkuar përfundimin e bombardimeve.

“D’Alema në një moment kishte kërkuar që të paralajmërohej Albright. Ajo kishte dhënë miratimin e saj. Vetëm një brengosje ishte shpalosur nga amerikanët: rreziku që Rugova të sillej nëpër Evropë për të kërkuar përfundimin e bombardimeve dhe që të mundohet të krijojë dasi në frontin perëndimor. Dhe, në këtë pikë, Roma zyrtare u ka garantuar se Rugova nuk do të dalë në të gjitha televizionet dhe gazetat e shtypura për t’u prononcuar. Dini dhe D’Alema do t’ia kishin kërkuar Rugovës një lloj diskrecioni. Tërë këtë të paktën deri kur të flasë me të dërguarin e Albright, ambasadorin Hill (gjë e cila ndodhte dy ditë më vonë, pasi ambasadori Hill kishte fluturuar nga Shkupi drejt Romës për ta takuar Rugovën)“, shkruante mes tjerash në faqen 3 e përditshmja Corriere Della Sera më 6 maj 1999.

(*Në ditët në vazhdim do të sjellim shkrime të tjera të vizitës së Rugovës në Itali, dhe jo vetëm)

Related posts