970×90
970×90
970×90
970×90

Shpallen fajtorë të akuzuarit në rastin “Medicus”

Shpallen fajtorë të akuzuarit në rastin “Medicus”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor pronarin e Klinikës “Medicus”, Lutfi Dervishi për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.

Kryetarja e trupit gjykues, Franceska Fischer, gjashtë leximit të vendimit tha se Lutfi Dervishi ka qenë pjesëmarrës në disa operacione të transplantimit, pavarësisht se ai e kishte ditur se klinika “Medicus”nuk kishte leje për transplantim. Këto veprime, sipas trupit gjykues ishin kryer pavarësisht se transplantimi ka qenë i ndaluar.

Gjyqtarja Fischer duke arsyetuar vendimin ka thënë se Lutfi Dervishi në bashkëpunim me persona të tjerë, nëpërmjet mashtrimit dhe keqpërdorimit të pozitës së ndjeshme kanë rekrutuar së paku shtatë persona të cilët i kanë strehuar dhe operuar në klinikën “Medicus”.

Sipas gjykatës, kjo ishte bërë për arsye të marrjes së veshkave, të cilat pas marrjes u janë transplantuar personave pranues.

Lutfi Dervishit, akuzohej për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar si dhe Sokol Hajdini, i akuzuar për lëndim të rëndë trupor.

Nën akuzat për transplantim të paligjshëm të veshkës, gjatë seancave gjyqësore, i akuzuari Lutfi Dervishi, kishte deklaruar se transplantimi i veshkës është vepër humane, e jo penale. Sipas tij, në gjithë botën bëhen me mijëra transplantime, por askush nuk ndiqet penalisht.

Ndërkaq, Sokol Hajdini, i cili po ashtu e kishte mohuar akuzën, kishte deklaruar se ai me veprimet e tij nuk kishte asnjëherë qëllim të binte ndesh me ligjin apo t’i shkaktonte lëndime trupore ndokujt.

Gjatë seancës së kaluar fjalën përfundimtare e kanë dhënë palët mbrojtëse, duke e kundërshtuar aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë.

Përderisa prokurorja e rastit Valeria Bolici, në fjalën përfundimtare kishte kërkuar nga Gjykata që të konfirmojë përgjegjësinë penale të Dervishit dhe të Sokolit dhe të i dënojë ata sipas dënimeve që parashihen me ligj.

Lutfi Dervishi, ishte pronar i klinikës “Medicus” në të cilën, sipas hetimeve, pretendohet se është kryer transplantim i veshkave. Ai akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është ndarë si lëndë e veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 në 5 vjet.

Ndryshe, në Kosovë nuk ka Ligj për transplantim të organeve. Një draft ligj ishte hartuar nga Qeveria dhe proceduar më pas në Kuvend, por i njëjti ishte bllokuar nga misionet ndërkombëtare, ku një prej arsyeve të bllokimit të tij ishte përmendur pikërisht rasti i njohur si “Medicus”. /Rel/

Related posts