Duhet të kemi parasysh se ekzistojnë teori e funksione të ndryshme mbi familjen, si një institucion shumë i rëndësishëm për zhvillimin njerëzor. ”Familja është institucion bioemocionalo-socioekonomik që përbën bazën e çdo shoqërie”. Aristoteli e konsideronte familjen si bërthamë të shoqërisë, ndërsa i ashtuquajtur ”kumbar i sociologjisë” Ogys Konti, shumë shekuj pas Aristotelit, familjen e trajtoi si qëlizë themelore të shoqërisë. Për familjen, Kanuni thotë: Familja është një bashkim gjymtyrësh, të cilët jetojnë në një kulm të përbashkët dhe kanë për qëllim shtimin e gjindjës me anë të martesës dhe mëkëmbjen e trupit, të mendjës dhe të ndijeve. Apo Familja ashtë njësia nisëtore e organizimit shoqëror dhe ka në themel bashkimin e disa përsonave në të njëjtën shtëpi nën drejtimin e të njëjtit kryetar. Familja përbëhet prej gjindjës së shtëpisë, të cilët, duke u shtuar, krijojnë vëllazëri e gjini. Familja mund të përfshijë edhe disa familje prej atyre të kuptimit bashkëkohor. Bërthama përgjithësisht nuk i kalon tre a katër çifte, përveç bijve të vegjël, por gjenden edhe shtëpi-familje me 50-70 e më shumë anëtarë Bashkësia e disa familjeve krijon fisin, disa fise krijojnë një bajrak ose flamur. Por, tek ne në Kosovë, familjen e kemi patriarkale që përbëhet nga burri, gruaja dhe fëmijët dhe karakterizohet nga pozita dominante e burrit në familje, e që, për mendimin tim, patriarkalizmi është më ideal se të qënit një familje konjugale, pra kur kemi të bëjmë me raporte të barabarta ndërmjet anëtarëve të një familjeje. Edhe pse në Kosovë janë të pakta këto raporte a elemente konjugale, por unë përsonalisht e vlerësoj dhe e shoh shumë ideale që në një familje të jetë funksional patriarkalizmi.
Ekzistojnë shumë rregulla zakonore nga kjo degë e së drejtës, të cilat i përkasin gjinisë së gjakut dhe gjinisë së qumështit, krushqisë, vëllamërisë, kumarisë; familjes, fejesës, dasmës, martesës, marrëdhënive ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, adaptimit dhe kujdestarisë.
Ndër shqiptarë ekzistojnë dy lloj familjesh patriarkale: familja e madhe dhe familja e vogël. Familja e madhe përbëhet nga prindërit me dy djemtë e tyre të martuar dhe me nipërit e mbesat, që do të thotë se përbëhen nga disa gjenerata a nga disa familje të vogla. Familja e vogël kryesisht ka numër më të vogël të anëtarëve, mirëpo ka pasur raste kur kjo familje ka mundur të ketë edhe 12 anëtarë e më shumë (p.sh. prindërit me dhjetë fëmijë).
Prej produktivitetit të zhvillimit të cikleve martesore është edhe zgjerimi i farefisnisë, e që nënkupton lozën e pasardhësve, e cila krijohet si rezultat i marrëdhënieve intime në familje.
Familjen e përbajnë njerëzit e shtëpisë, si të shtohen këta, ndahen në vllazni, vllaznija në gjini, gjinia në fise, fiset në flamur e të gjitha zbashkut përmblidhen në nji familje ma të hapët, e cila quhet Kom, e kan nji atme (atdhe), nji gjak, nji gjuhë e doke.
Familja është një grup i njerëzve të bashkuar nga lindja ose martesa, si dhe i marrëdhënive të ngjashme, duke përfshirë bashkëjetesën, adoptimin, mbiemrin, kujdestarinë dhe pronesinë që ka familja. Familja sintetizon, jo vetëm nocionin e lidhjes së gjakut, a të ndërvartësinë gjenetike, por, në radhë të parë është riproduktim biologjik e social. Në përgjithësi, një familja është një njësi e përbërë prej disa lloj njësie ose shtresa, tipe. Megjithatë, këto familje mund të jenë grupe shoqërore të tjera, të tilla si persona beqarë, grupe apo individë të palidhur, të pamartuar.
Familja Konjugale përbëhet nga një ose më shumë nëna, ose nga një ose më shumë baballarë dhe fëmijët e tyre. Ndarja e punës i kërkon të dy gjinitë. Në rastet kur përmban një nënë dhe një baba, merr trajtën e familjes bërthamë, plus fëmijët e tyre. E quajtur familje nukleare. Familja nukleare përmban në gjirin e saj këta elementë: Nëna, babai, e bija (e lindur nga nëna, e atësuar nga babai), i biri (i lindur nga nëna i birësuar nga babai), e motra (e lindur nga e njëjta nënë dhe e atësuar nga i njëjti baba), vëllai (i lindur nga e njëjta nënë dhe i atësuar nga i njëjti baba).Të tjere: gjyshi dhe gjyshja (nëna dhe babai i prindit), mbesa dhe nipi (vajza dhe djali i fëmijës). Kushërinj: xhaxhai, gruaja (fëmijët e tyre).
Sipas zhvillimit historik, familjen e ndajmë:
1. Familja matriakale: e cila është nga llojet më të hershme të familjes. Ky tip familjeje përcaktohet nga mbisundimi i pushtetit ekonomik. Vendin parësor në ekonomi, në atë përiudhë, e zinte ekonomia familjare, pra puna e gruas, puna që realizohej brenda shtëpisë, si zejet primitive, punimet e teshave etj. Si rezultat, edhe pushtetin në familje e gëzonte gruaja.
2. Familja patriarkale: në të cilën përmbyset pushteti prindëror, sepse përmbyset edhe pushteti ekonomik. Tanimë del në plan të parë bujqësia dhe blegtoria, të cilat janë ekonomi jashtë mjedisit familjar. Duke zotëruar pushtetin ekonomik, burri zotëron edhe pushtetin prindëror. Gruaja shkallë-shkallë kthehet në shërbëtore të burrit dhe sundohet prej tij. Kjo shihet edhe në kanunet shqiptare.
3. Familja monogami: është forma më e zhvilluar e familjes që ka pësuar evolucion nga epoka në epokë. Në familjen monogami është ngulitur si i sanksionuar në rrugë zakonore, fetare dhe me shumë legjislacione, pushteti absolut i burrit në familje, si ndaj gruas, ashtu edhe ndaj fëmijëve, bashkë me ndonjë përpjekje fragmentare për një farë ekuilibri në marrëdhëniet familjare. Familja monogami bashkëkohore (familja moderne), është moment i konfigurimit të një raporti sa më të drejtë e efektiv, racional e ligjor të burrit me gruan, si dhe të prindërve me fëmijët.
Shtëpi-familje.
Sipas të drejtës romake për përkufizimin e shtëpisë, e drejta mbi shtëpinë i bie atit të familjes (pater familasi), të cilit i nënshtrohen gjithë banuesit dhe pasuria e shtëpisë (që të dyjat quhen familia). Shtëpia në kuptimin objektiv është një strehë, një ndërtesë ose një strukturë, e cila zakonisht shërbenë si vendbanim. Termi përfshin shumë lloje të banesave, të cilat variojnë nga fillimi me kasollet e fiseve nomade dhe deri tek ndërtesat e mëdha dhe apartamentet. Në disa kontekste, termi “shtëpi” mund të nënkuptojë njëjtë si banesa, akomodim, strehim etj. Shtëpia patriarkale është lloji më i hershëm i studiuar për vendin tonë dhe ia përshtatin tipit konsaguinil të familjes.
Në këtë tip familjeje ndërthurën marrëdhënie ndërmjet burrit dhe gruas, prindërve dhe fëmijëve, motrave dhe vëllezërve, kunatave ndërmjet tyre, kunatave dhe vjehrrave, si dhe inkludoheshin brenda familjes së afërm të burrit dhe të gruas. I përshtatet edhe në një mënyrë të ekzagjeruar llojit të zgjeruar të familjes, por me përmasa tepër të mëdha. Numri i pjesëtarëve të familjes shpesh mund të arrinte edhe deri në 50-60 veta. Familja merrte kështu tiparet e një ekonomie të pavarur dhe relativisht të madhe.
E drejta mbi shtëpinë në vete përfshin të drejtën mbi bashkëshorten (manus), të drejtën mbi fëmijët dhe nipat (patria potestas) dhe të drejtën mbi sendet dhe punëtorët e shtëpisë. Njësia shoqërore që jeton në një shtëpi, është e njohur si familje. Shumë njerëz largohen nga shtëpitë e tyre gjatë ditës për në punë ose në aktivitete të tjera dhe kthehen në të për të fjetur ose për veprimtari të tjera. Në shtëpi jetonin njerëz me lidhje gjaku, të cilët kanë për kulm një zot shtëpie. Kemi shtëpi, kullë, kasolle në vrri e në bjeshkë, breda dhe jashtë fshatit. Por, kemi shtëpi të mëdhe dhe të vogla. Çdo shtëpi ka të drejtë të ketë një vend në kuvend, në besëlidhje e djelmni, në katund, në fis dhe në bajrak. Po ashtu ka të drejtë e detyrë për nder e për burrni në lagje e katund, në fis dhe në bajrak, po ashtu të presë e të përcjellë mikun e shtegtarin, lypësin e nevojtarin, të marrë dhe të kërkojë ndore e besë. Ka të drejtë që të ngujuarin për gjak e hasëm ta mbajë në shtëpi deri në 30 ditë. Çdo shtëpi me të zonë e vet në bashki të lagjes, të katundit a të bajrakut ka të drejtë në kullosa, male e fusha, bjeshkë e vrri, ka të drejtë në mulli e ujë, rrugë e shteg, ka të drejtë në fitimet e bashkarisë dhe në pjesën e gjobës së katundit.
Çdo shtëpi i detyrohet katundit, përveç shumë detyrimeve të tjera, edhe t’i përgjigj kushtrimit të tij: “burrë për shtëpi”, t’i bindet sulleve të katundit e të fisit të caktuar në kuvend etj. Çdo shtëpi shqiptare ka për detyrë t’i përgjegj bajrakut e dheut: me ju gjetë krah djelmnisë së bajrakut me ujë e bukë, me armë e fishekë, sa herë të jetë në luftë me hasmin e vet e anmikun e vendit. Me dal në be për betar sa herë caktohet me emër një prej burrave të shtëpisë, kur caktohet nga kreret e pleqët. Me marrë pjesë në besëlidhje të bajrakut e dheut e me i ndejt besnik deri ditën e caktueme. Me e fal gjakun e gjakut sa herë dalin katund më katund e shtëpi për shtëpi pajtusit e gjaqeve të bajrakut, të dheut a të malit mbarë. Me qitë puntorin se bashku me katund për ndreqjen e rrugës, apo me e lirue prej bore për karvane e shtegtarë, sa herë e kërkon bajraku dhe dheu.
-Njerëzit e shtëpisë.
Gjindja (familjarët) e një shtëpie janë: gjyshi e babgjyshi, gjyshja, gjyshja e madhe, babë e nënë, nip e axhë, burra e gra me fëmijë të tyne. Familjarë të një shtëpie hyjnë edhe bijat e veta, kushërinj e kushërina të mbetuna shkret, që jetojnë në atë shtëpi. Njerëz të një shtëpie janë edhe ata, disa prej të cilëve jetojnë e punojnë jashtë katundit, bajrakut a dheut, ”t’ lânë e t’prendum”,thoshin të vjetrit, përderisa kanë të njëjtin zot shtëpie.
-Të drejtat e njerëzve të shtëpisë
Pjesëtarët e shtëpisë kanë të drejtë dhe pjese në: shtëpi e truell, toke e uji, gja të gjalla, bletë e fitime të shtëpisë. Grania s’kanë pjesë toke as banëse, veç pjesë goje. Punojnë e jetojnë në pjesë të burrnimit të vet. Veshë e mbathë, ha e pi anëtaret e shtëpisë i gzojnë prej tokës e fitimeve të shtëpisë. Dallimet në burra dhe gra, fëmi, i zoti i shtëpisë nuk mund të bejë as për veshë e mbathë, as për ha e pi. Nipa e stërnipa, prej bijash, e mbesa, miq e djalë mbas veti, çobanë e rrogtarë, janë anëtar të shtëpisë, po pjesë nuk kanë hise edhe në ndejshin tanë jetën me familje. Secili prej anëtarëve të shtëpisë ka vendin e vet. Ky vend është: anëtar mbas të zotit të shtëpisë, gratë mbas burrash, çikat mbas djemve, e reja mbas vjehrrës. Kunata e re a nuse mbas kunatës së vjetër. Në shtëpi e kudo qofshin kanë për detyrë mos me i ra ndesh njani tjetrit, por tuj shkue gjithmon mbanë fjalës së zotit të shtëpisë.
Çdo shpi ja ka obligim katundit rrethas: a) Benë e motmotit; b) Puntorin rrethas në rrugë e ura dhe në vi ujin e mullinit; c) Kujdesin e ndihmën të vetit e shoqit para të huejt e hasmit d) Me ju përgjigj kushtrimit ”me burrë për shtëpi, nga 7 deri 70-të”; e) Me ju bind sulleve të katundit e të fisit të caktueme në kuvendi katundit. Me u përgjegj me gjithë familjaret e shtëpisë për çdo dam e faj në lagje, katund e fis.
-Shtëpia e madhe (familja e zgjeruar)
Thenja: ”Shpija e madhe ka gjind e gja, sofër e za”; kjo lloj familje është tipi me i përhapur ne hapesirat mbare Shqiptare. Familja e zgjeruar përkufizohet si nje grup prej tre ose me shume brezash, që se bashku jetojnë ose brenda të njejtës shtëpi ose shume prane njeri-tjetrit. Nuk është e thene që anetaret e familjes se zgjeruar te jetojne nën nje qati, por normalisht ata jetojnë afer njeri –tjetrit dhe me shpesh punojne se bashku nga dy ose me shumë. Ata që zakonisht jetojne nën një kulm quhet ”familje e zgjeruar në kuptim të banimit”, ndersa në ato raste kur anetaret e familjes janë disi te shpërndare ne punet javore, por që ne fund të javës janë përseri të ndervarur, formojne familjen ”funksionalisht të zgjeruar”. Tek familja e zgjeruar mund të përfshihen tre e më shumë gjenerata, që kryejne veprimtari në ekonomi të zhvilluar shtëpiake, ose në një bashkësi gjinore, apo në mardhenie me të zgjeruara shoqërore.
Faktorët e familjes së zgjeruar janë: a). Faktorët globale, modeli mesjetar i familjes. b). Faktori i sigurisë për mbijetesë, si dhe ndikimi i mësimeve fetare si fuqizues dhe përkrahës të këtij modeli.
Modeli mesjetar i familjes (sipas Kanunit), përcaktohet nga fakti se në atë periudhe familja dhe komuniteti lokal ishin epiqëndra kryesore e prodhimit të të mirave materiale dhe e kryerjes se shërbimeve të ndryshme. Zakonisht familja ishte një njësi prodhimi e integruar, ku anëtaret e familjes bashkërendonin veprimtarinë e tyre në procesin e prodhimit. Prindërit organizonin prodhimin bujqësor, blegtoral apo zejtar, por njëherësh mbanin përgjegjësinë kryesore për rritjen e fëmijëve. Industrializimi, krahas arritjeve te mëdha në prodhimin shoqëror, preku, në një masë jo të vogël, edhe marrëdhëniet e deriatëhershme familjare, duke vendosur në punë tepër të vështira, jo vetëm burrat, por ajo që është më e keqja, edhe fëmijët.
Faktori i sigurisë kërkonte që ndërmjet gjithë anëtareve të krijohej dhe të sundonte solidariteti, përkushtimi për ruajtjen e familjes nga rreziqët e jashtme, sidomos ato që rridhnin nga konkurrenca edhe zënkat ndërmjet fiseve, për çështje kullotash, pronash, gjahu, pyjesh etj. Nuk duhen harruar këtu edhe ato obligime që rridhnin nga veprimtaritë e armiqve pushtues, apo nga plaçkitës profesionistë.
Faktori fetar, sidomos Kurani, nuk e kushtëzon tipin e familjes, por në një mënyrë apo në tjetrën përkrahet lloji i zgjeruar i familjes. Islami është me afër modelit të familjes së zgjeruar. Në Kuran është paraparë hisja e trashëgimisë, jo vetëm për anëtarët e familjes bërthamë, por edhe për pjesëtarët e familjes së zgjeruar. Sa më lart mund të themi se familja e zgjeruar karakterizohet nga një nivel më i lartë i ndërveprimit dhe ndërlidhjes njerëzore, sesa familja berthamë.
Shtëpia e madhe (familja e madhe), ka gjindë e gja, sofer e za. Shtëpia e madhe ka numër më të madhë anëtaresh, me tri e më shumë kunorash (martesa).
Burrnimi i saj ndeje e sofër i kanë të dame me granim e fëmit. Burrnimi rri në kullë a në odën e miqve. Grania me fëmijë rrinë në jerevi a në dhomën e grave. Djemt mbas veti rrinë me burrat e miqt. Rrogtart rrinë veças kur ka miq në za, ja rrinë bashkë me burrat, por ndejen e kanë të lehtë e zanin të ulët, veç kur pyetën. Me u dasht ndoj shërbim, rrogtari çohet i pari. Shtëpia e madhe ka detyrë ndere me ju gjet krah në hall e në nevojë shtëpisë së vogël e jo me i zanë frymën: ”Pse je shtëpi e madhe, mos i hap kraht përtej pashit tand”. Thotë populli.
-Rrogtari dhe punët e shtëpisë
Shtëpitë e mëdha e kanë detyrë te pare dhe kanë të drejtë të marrin edhe rrogëtarë për punë shtëpie. Por rrogtarin e marrin me miratimin e ti. Për punët që do të kryejnë rrogëtari, i zoti ka të drejtë t’ja caktojë detyrat qysh në fillim, po edhe gjat ditës me pasë nevojë. Përveç punëve i zoti s’ka të drejtë me e ngarkue me tjetër punë rrogtarin. Rrogën ja ka obligim simbas marrveshjes së arritur. Përveç rrogës, i ka obligim bukën dhe fjetjën. Për sa ta ketë shtëpia rrogtarin në bukë të vet, dora e huj nuk mund ta prek. Ja rrehi a ja vrau kush, jet shtëpia ”mikprem”, ja qët pushkë e nderet.
Rrogëtari ka detyrë në çdo punë që ja kërkon i zoti për punët në arë, vneshtë, për livadh e me bajtë, përjashta shtëpie e brenda shtëpie. Rrogëtari s’ka të drejtë me thanë: u lodha. Për punë ka ardhë e merr rrogë, e për punë që bën, paguhet. Rrogëtarin e përzinë puna edhe njerzit e shtëpisë, por ka gjera që ndahen mes tyre. Rrogëtari ka edhe nji obligim të madh kur: me ra në gjak shtëpia ku rrogëtari punon e me u gjet rrogtari i zoti mund ta banë zot shtëpie për sa të jenë burrat përjashta shtëpisë. Ky ka detyrë me shërbye me nder e besë. Ndryshe del i pabesë e koritet. Për besë të preme i ka borgj të zotit dhe shtëpisë e kushrinve të saj.
-Shtëpia e vogël-familjet
Shtëpia e vogël, është me pak anëtar me një apo dy kunora. Janë burrë e grua, djalë e çikë, ndej e sofër e kanë bashkë. Miq e shokë i presin rreth votrës, (sipas Kanunit). Ky është lloji i mëvonshëm i të parës, që gradualisht është fragmentuar në njësi me të vogla. Në këtë lloj familje ka filluar largimi prej saj i të afërmve ana e burrit. Të parët që veçohen ne familjen hierarkike janë njerëzit nga burrit. Pas kësaj shkurtohet numri i brezave që qëndrojnë të bashkuar në këtë familje, d.m.th. ne qofte se në familjen e madhe numri i brezave që arrinte deri në pesë, tanimë (duke përjashtuar trungun, që është si rregull) ky numër arrin deri në dy ose tre breza. Edhe ky lloj i familjes bazohet në një hierarki gjinore dhe të moshës. Në këtë familje (shtëpi të vogël), del në pah autoriteti prindëror sidomos i babës.
Krijimi i familjeve të vogla me prinderit dhe fëmijet e tyre, duke eleminuar gjysherit në disa raste, zvogelon kufirin e familjes berthamë, por tek ne ajo ende nuk është mbisunduese. Familja shqiptare e ka pranuar ndarjen, por njeheresh qofte për tradite qofte për force morale ajo paraqitet tepër e qëndrueshme, jo vetëm përsa i përket mardhenjeve burre-grua, por njeheresh edhe në mardhenjët prinder –fëmije. Nëse në botën e zhvilluar përndimore familja nuk ka shumë qëndrueshmeri kohore, nëse prindrit nuk ju garantojne fëmijeve mbi moshen 18 vjeq shkollimin dhe kushtet e jetesës, tek ne ndodh e kunderta, në vendin tonë familja është tepër rezistente ndaj tronditjeve në shoqëri, kujdesi prinderor është shumë solid i vazhdueshem, bile arrin gjer në atë shkallë sa që here –here merrr trajten e tuteles (kujdes i tepruar për dike). Kjo dukuri e jetës sonë familjare krahas aneve pozitive, mbart edhe mangesinë e mospërgatitjës se mjaftueshme të brezit të ri me jetën, të përballjës me veshtiresitë.
-Shtëpia e derës së parë
Por kemi edhe shtëpi e derë të parë, derë e zontënis e kreut, bajraktarit, derë plaku e sterplaku, sipas Kanunit në dhe e në bajrak, në fis e në katund, në vllazni dhe lagje.
-Shtëpia e djalit të fisit
U ba ndoj shtëpi e njohur në katund, në vllazni e fis, e njoftun për kah zotësia e urtia, i zoti i shtëpisë së saj merret prej pleqsh djal mbas krensh e pleqsh dhe nxihet djalë fisit. Me u dallue si djalë fisit deri në tre brez, hyn në krent e reja të katundit e të fisit me miratim të krenve të vjetra dhe të Kuvendit të fisit, të katundit a të bajrakut ku fiton vendin e ri; me çat ditë dera e tyne hyn në derë krensh me tagër Kanuje.
-Shtëpia e fortë
Në hapësirën shqiptare përveç shtëpisë së madhe me shumë anëtarë, kemi ashtuquajturën edhe ”shtëpia e fortë”, apo ”shtëpi pushke”. Shtëpi e fortë njëhet ajo shtëpi që gjatë historisë ka dhenë burra të fortë që nuk kanë pranuar shtypjen e askujt, por nuk kanë lenë gjak pa marr, sipas tregimeve të popullit kanë qitë përherë pushkë me vend, tuj e mbrojtur vendin, shtëpin, mikun e kombin. Shtëpi e fortë thirret ajo shtëpi që ishte dalluar apo shajuar për trimni brez pas brezi. Sipas tregimeve të popullit shqiptar, këso lloj shtëpish ka pasur mjaft në Dukagjin, e mbar Kosovën, e në Shqipëri e kurdoherë ato shtëpi i kanë lënë nderë vendit dhe Bajrakut.
-Shtëpia fisnike
Në Dukagjin, Kosovë, Malsin e Madhe, Mirditë, Puk e Diber janë përmendur këto lloj shtëpish: ”Shtëpi Fisnike”, ”Shtëpi e mirë”, ”Shtëpi në Shejë”, ”Shtëpi e fortë”, ”Shtëpi bukëdhanse”. Këto shtëpi kurdoher brez pas brezi për më shumë se pesë shekuj janë dalluar për burra të fortë të urtë, të ndershem, të drejtë, besnik, shkurt me një fjal, burra që i kanë pasur të gjitha vertytet njerzore.
Këto shtëpi janë çmuar shumë nga të gjithë. Burrat nga këto shtëpi janë kerkuar përherë për pleqni, për ndermjetësim, për pajtim gjaqësh e ngatrresa. Këto shtëpi ishin në shenester të familjeve tjera ku ishte qështja e martesave.
-Shtëpi bukëdhanse
Shtëpia e shqiptarit është: ”Zotit dhe e musafirit”. Çdo shtëpi edhe ajo ma e vorfura e mban deren e hapur për miq të njohur e të panjohur, por janë disa shtëpia të ndara ku thuhet se natë për natë kanë miq, dhe kushdo që shkon me lypë nuk largohet pa ndonjë gje. Këto shtëpia të populli quhen ”bukëdhense”, dhe janë të rrespektuara e të çmueshme prej çdo njenit. Në shumtën e rasteve këto shtëpi kanë edhe fisnikri por janë edhe për nderë e për dobi të katundit dhe të popullit në përgjithsi.
-Zoti i shtëpisë
Familje e madhe, familja në kuptimin e përgjithshëm, banonte me shpesh nën të njëjtën çati (në një kulle tepër të madhe), ose në dy ndërtesa të ngritura pranë njëra-tjetrës. Si rregull familja patriarkale arkaike kishte në posedim prona të gjera toke, kullota. pyje, burime ujore, si dhe posedonte edhe bagëti me shumicë, si dhen, dhi, kuaj, që apo buaj, lopë dhe shpezë. Familja merrte kështu tiparet e një ekonomie të pavarur dhe relativisht të madhe.
Edhe ky lloj i familjes bazohet në një hierarki gjinore dhe të moshës. Del ne pah autoriteti prindëror sidomos i të parit të familjes. Drejtimi i saj i besohej si rregull njërit prej anëtareve të familjes, i cili ose zgjidhej direkt nga kreu i familjes (plaku me i moshuar), si autoritet i padiskutueshëm ose përcaktohej nga kuvendi i familjes. Ai që administronte ekonomie dhe të ardhurat e familjes, njëherësh ishte i autorizuar të lidhte marrëveshje të ndryshme me familje apo fise të tjera për shkëmbim produktesh për shitje apo blerje, por ka pasur raste që me ketë aspekt te marrëdhënieve të familjes me të tjerët, ngarkohej një person posaçërisht nga familja.
Çdo shtëpi ka të zotin e shtëpisë. Zoti i shtëpisë trashëgohet nga vëlau i madh. Pjesëtarët e familjes se bashku me pleqtë e shtëpisë caktojnë me kuvend mashkullin më të zotin e tyre.
Ky mund të jetë i ri apo i vjetër, i martuem apo i pamartuem. ”Zot shtëpie” është njohur edhe kah Kanuni, burri ma i vjeter nder të gjithë anëtaret e shtëpisë, që han buk bashkë deri ditën e ndamjës. ”Ken e caktuen e si e caktuen e dinë shtëpiakt vet”. ”Shtëpia tyne, puna tyne”.
Në shtëpitë e mëdha për kah anëtarët e gjaja e gjallë, i zoti i shtëpisë, me miratimin të pjestarëve të shtëpisë, cakton ndihmsin – ndihmsat e vet. Sipas traditës i zoti i shtëpisë ka edhe ndihmsit e vetë. Ka shtëpi e madhe që ka një ndihmës, por kemi shtëpi që kanë nga dy ndihmsa. Ndihmsit e zotit të shtëpisë i kanë detyrat e caktueme: njeni për lavër me gjanë e gjallë, tjetri për shteg e treg. Të drejtat për ku janë caktue, i kanë si i zoti i shtëpisë, veç pa i ra ndesh ati.
-Kujdestari i shtëpisë
I zoti i shtëpisë kur të shkon në gazmende apo mort, cakton kujdestarin e shtëpisë. Kujdestar i shtëpisë caktohet ma i zoti i shtëpisë apo të damëve nji zjarmi apo prej kushrijve të afërt. Ai është zoti të shtëpisë për sa ditë të vazhdojë dasma, morti apo gostia. Ndera e kujdestarit ja do me e ruejt e shtëpinë dhe me e qitë me nder e me faqë të bardhë para shokve e miqve.
-Drejtat e zotit të shtëpisë
Cilat ishin të drejtat e zotit të shtëpisë: i zoti i shtëpisë mban qesen e shtëpisë. Shtëpia e mirë, një qese ka. I zoti i shtëpisë ka të drejtë: 1) të rrijë në krye të vendit në shtëpi të vet, edhe nëse gjinden më të vjetër se ai në shtëpi; 2. të mbajë dhe të vendosë lirisht: për armët e veta, cilido të jetë vlera e tyre, për kalin e shalës, për shtrojën e mbulojën e vet, për vegla e kafës. Detyrat e të zotit të shtëpisë ishin: zoti i shtëpisë me ndihmsit e vet ka detyrë me u gjet në krye të punve ditën e natën; me u rrek me urti e me punë me mbajt shtëpinë, me i dhanë çdo ditë kah e mara tuj e largue kah fika; me u kujdesë për çdo nevojë të familjarve të shtëpisë si për kah haja e pija, vesha e mbatha, shtroje e mbloja; si për kah arma e nevoja, shendeti e halli pa dallim, të vjetrit e të riut, të madhit e të voglit. Secilit simbas nevojës së vet: djemve me u gjet e me u marr nuse, çikave me ja u caktue burrat e me i pas kujdes për bija kudo qofshin. I zoti i shtëpisë ka të drejtë me drejtue e me porositë për çdo punë në shtëpisë. Porosia e ti duhet të kryhet si ke si s’ke aty. Çdo gja blehet apo shitet, lehët peng apo ipët huha, behet me fjalë të zotit të shtëpisë. Për tokë e trullë, për mal e ujë, pyetën pjestaret e shtëpisë; për bujqësi pyetet bujku; për gjanë e gjallë, pytet çobani i shtëpisë. Një burr i malesis tregonte: ”ishte knaqësi në mbramje kur na mbledhte i zoti i shtëpisë e na caktonte punët për të nësermen”. Me të zotinë e shtëpisë punët shkojshin si sahati, thotë populli. I zoti i shtëpisë kishte të gjitha parasyesh; edhe ushqimin edhe veshjen dhe nevojat e ndryshme të pjestarve të familjes. Jeta ndër familjet me shumë anëtar tregonte një burr i vjetër në Rekën e keqe, ”ka qenë e gezueshme e aspak e rendë apo e merzitshme”. Të gjithë u bashkoheshin në mbremje, e nuk mungonte as biseda, as kanga, as gazi. Të gjithë rrinë dhe hajshin se bashin, burrat bashkë, gratë bashkë dhe fëmitë bashk. Arsya e kësaj harmonie, për të cilen foli plaku, ishte pa dyshim mungesa e egoizmit. Për pjestaret e shtëpisë që nuk binden, bajnë sherre e shamata, i zoti i shtëpisë ka të drejtë dënimi mbi ta: ju merr armën, i dan shtëpie, i leçit. Kryekcungit (kokëkrisur) e ngucakeqit i gjenë mënyrën e i jep rrugë, ja e danë shtëpinë dhe e qëtë në pjesë të vet. Grues që nuk bindet dhe ka të kqija i pret thekun (floku), ja dan shtëpinë në pjesë të vet. Ka edhe denime ma të rrebta si: për kori të bame çdo anëtar i shtëpisë: burr a grue, djal a çikë qoftë, dhe jep arsye.
Pjestarët e familjes së bashku ushtrojnë mbi të zotin e shtëpisë një kontroll, që shtrihet deri në atë pikë sa ta detyrojnë të heqë dorë prej detyrës. I zoti i shtëpisë ndrrohet: kur nuk punon me drejtësi, kur futë shtëpinë në ngatërresa e borxhe pa nevojë, kur nuk e merr vesh me arsye fjalën e anëtarve të shtëpisë, kur nuk i del zot me të drejtë shtëpisë së vet. Pjestaretë e shtëpisë e ndrrojnë kuvendisht tuj dhanë arsyet për çka po e ndrrojnë. I zoti i shtëpisë, ose i shtrohet arsyes, ose lyp me u nda nga familja e del në shtëpin e vet. Nder për të zotinë e shtëpisë, zoti i shtëpisë e ka vendin e parë në takimet e kuvendit, në sofër e rrugtim. Ndera ja do me e nderue ma plakun e shtëpisë. (Ma plaku, te oxhaku). Në dasëm e mort, në darka e gëzime, në kuvend mund të cakton edhe pjesëtarët e tjerë të familjes së vet. Çerga e takami i kafes me mulli e dollap, me tabak e filxhana janë ndera e të zotit të shtëpisë dhe shkojnë mbas tij. Në shtëpi dhe dyer të mdha i zoti i shtëpisë ka të drejtë me mbajt kal shale e djemë mbas veti.
Kur nuk ka meshkuj të rritur në shtëpi, drejtimi i shtëpisë mund t’i besohet një gruaje. Jetimja në moshila bën deklarimin solemn që të mbesë e pamartuar, mund të bëhet kreu i familjes dhe zoja e shtëpisë, në rast se nuk ka në atë familje nëna të rritura.
-Djali mbas veti
Mbajtjën e një djali mbas vet, kanë te drejtë: zotnit, krenët e bajraktarët, i zoti i shtëpive të mëdhaja për sigurinë e jetës e të drejtave të tyne. Djalin mbas veti e zgjedh i zoti. E zgjodhi në familje, vllazni e fis, ndër miq e dashamirë, në kumbarë apo të huej, puna e tij. Kush s’ka të drejtë me i thanë ”Pse” e zgjodhe.
Çfarë detyra ka djalit mbas veti sipas hulumtimit kemi gjetur këto detyra: me shkue mbas të zotit kurdo e kudo, larg apo afër, natën a ditën, për kohë të mirë a të keqë, i qëtë a me pushkë për rujtjen e faqës apo roje të jetës a të nderit, të pasunisë a të fjalës së tij. Djali mbas veti ka detyrë t’i jetë besnik të zotit për të cilin punon. T’i baj sytë katër e të mos pres me i thanë i zot si: ”Priti se më vranë”. Po, flakë për flakë ta pshtoj të zotin prej hasmit të tij. Djali mbas veti duhet ta këtë zanat përdorimin e pushkës. Për atë punë është djalë mbas veti. Në ndeja e sofër, rri mbas të zotit. Djali në sofër të vogël e ka vendin. Djalin mbas veti i zoti e çon edhe për fjalë e lajm. Fjala e tij është fjala e të zotit. Për fjalën e qume e njofton të zotin. Mund të çohet edhe me marr uha a borxh, me marr gjysmat e lavërtarit në tokë të zotnisë. Detyrë ka me i marrë si të ishte i zoti vet, pa shtue e pa mungua gja. Zotnia ka detyrë me mbajt djalin mbas veti si një prej burrave të shtëpisë. Në bukë e të fjetme mos me e nda si rrogtarin. Rrogë nuk i ka për detyrë. Rrefimet e pleqve në malësi thojnë: ”Djali mbas veti nuk është rrogtar”. Po, pa gja nuk e le. E di vet zotnia shka me i fal. Po me ju vra gjatë kohës që zotnia e ka mbas veti, shtëpisë së tij i lanë gjakun me pare a me tokë.
-E zoja e shtëpisë
Në familjet shqiptare punë të randësishme luan edhe zoja e shtëpisë e caktueme prej të zotit të shtëpisë me miratimin e pjestarve të shtëpisë, për me gatue e shtrue bukë e ha për tërë anëtaret e shtëpisë, për miq e punëtorë. Grate e familjes merreshin me përpunimin e produkteve bujqësore apo blegtorale. Tek gratë është skalitur autoriteti i vjerrës si “Zonja e pare”, ndaj si shprehje edhe sot e kësaj dite është trasheguar ”Nënë-zonja”. Çdo grue nuk mund të bahet zojë e shtëpisë. Ajo duhet të jetë ma e afta për punë shtëpie. E zoja e shtëpisë është ma e vjetra e shtëpisë. Me u ba zotë shtëpie ma i vjetri i shtëpisë apo vllai i madh, zoj shtëpie caktohet e shoqja. Me u ba zot shtëpie nji vlla tjetër, zoja shtëpie jetë e nana, apo e shoqja e vllajt të madh. (Kopshtije e bylmet janë pasqyra e zojë shtëpisë). Në shtëpitë e mdhaja i zoti i shtëpisë, me miratimin të pjestarve të familjes dhe të zojës së shtëpisë, caktohen një apo dy ndihmse të zojë së shtëpisë. Njena caktohet me gatue dhe tjetra për kopshtijet. Për punën e tyne i japin arsye zojës së shtëpisë e ndihmsave të zotit të shtëpisë. Bukën e kopshtijet ka të drejtë me i përdor e zoja e shtëpisë. Ato vetëm me ba shërbimin.
Detyrat e zojës së shtëpisë: E zoja e shtëpisë ka detyrë me u kujdes për bylmet e kopshtije. Me marr a me dhanë janë për dore të saj. Kush nuk ka të drejtë me ju përzie në to. E zoja e shtëpisë ka detyrë me gatue dy ha bukë ma shumë se i duhen. Me ardh miku për shpejt, do bukën gati. Për miq e nevojtarë bukën e shtron e zoja e shtëpisë. Për miqtë e largët e dashamirët e kryen krejet porosinë e merr prej të zotit të shtëpisë dhe e ka për detyrë ta kryej si ja cakton ai. Mos me ndodh burrnimi në shtëpi, e zoja e shtëpisë ka detyrë me prit e me qit miq e nevojtarë, me çue në punë gra e fëmi simbas porosisë të zot të shtëpisë.
Kur ndrrohet e zoja e shtëpisë. Me ndodh, me dal brace (vjedhse) apo sherr; – mos me shërbye me drejtësi e mos me ja krye porosit të zotit të shtëpisë për ushqim për miqt, tuj i randue ata e burrnimin, atëherë i zoti i shtëpisë, me miratimin të pjestarve të shtëpisë, e ndrron. Me ba faj të randë, i pritet edhe thekun i flokut, apo e dan nga shtëpia me gjithë burr të vet e qët në pjesën e vet.
-Të drejtat e zojës së shtëpisë
E zoja e shtëpisë ka të drejtë me marr e me dhanë uha ndër shokë e kushri sa ban: nji qinshe krypë a tlyn, nji gogël djathë, nji bukë miell, nji e zieme grosh, pa pasë nevojë me pyet të zotinë e shtëpisë e ndihmsit e tij. Me shit e me ble ka të drejtë veç sa për vegshat e cingat që i duhen për punë shtëpie dhe farishtat e kopshtijeve.
-E drejta e grues për ndore e ndërmjecë
Nuset e shtëpisë marrin me shume inisiativa, kanë me tepër liri veprimi, dhe me shumë pavarësi. Akoma në zonat veriore të vendit ekzistojnë familje gjysëm patriarkale që jetojnë në kulla, që jetojne se bashku dy deri tre apo me shumë vellezër të martuar dhe me fëmije.
Sipas traditës, grues si pitet ndorja. I ra kush ndore ndoni grueje që i doli para, gruja ka të drejtë me e mbrojt. Ja preku kush ndorën grues së huej, koritet e leçitet. Grues si ndalohet ndërmjeca. Sulmoi kush një shtëpi dhe gruja e shoqit u mbeshtet për derë të shtëpisë se saj, hasmi nuk ka të drejtë me e prek. “Gruja e huej s’preket me dorë”. Apo i vuni kush zjarmin shtëpisë së huej, e gruja filloi me e fikë, kush nuk ka të drejtë me ju përzie. Nxorën pushkët dy burra a dy lagje burrash me u vra nder veti dhe hyni gruja ndërmjet tyne tuj thanë: “Hiqni pushket, bre burra”, burrat kanë detyrë dhe për ndere me ja njoft ndërmjecën
Znj.dipl.ec.Indira A.Hoxha